“Open Balkan” në parlamentin serb, Rama online, në takim përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së
Dy ditë para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, në Beograd do të diskutohet sërish për Ballkanin e Hapur, por tashmë edhe me praninë e SHBA-së dhe BE-së. Takimin Edi Rama do ta mbajë nga zyra e tij në Kryeministri.
Kronika e përgatitur nga RTV Ora
Nga tryezat trepalëshe, Open Ballkan do të zbresë në Parlamentin serb. Nismëtarët Vuçic, Zaev dhe Rama do të shpjegojnë ecurinë e marrëveshjeve të firmosura si dhe çfarë pritet të ndodhe me krijimin e tregut të përbashkët në rajon.
Në këtë takim të posaçëm pritet të marrë pjesë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perendimor Gabriel Escobar si dhe përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, i cili ndodhet në Beograd.
Edhe pse ishte parashikuar të ishte i pranishëm fizikisht, Kryeministri shqiptar nuk do të udhëtojë drejt Beogradit, por fjalën e tij do ta mbajë online nga zyra e tij.
Pavarësisht kundërshtimit të Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme të Ramës, Vuçiç dhe Zaev, SHBA dhe BE e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur, por duke nënvizuar faktin se është e rëndësishme përfshirja e 6 vendeve të rajonit.
Ky takim mbahet 2 ditë para mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e cila do të zhvillohet në Elbasan të premten me 26 nëntor.
Kjo mbledje do të shërbejë që Rama t’i shtrijë sërish dorën Albin Kurtit për ta përfshirë në këtë nisëm, si dhe për t’i përcjellë mesazhet e SHBA-së dhe BE-së.