Shkodër/ Shtohen të sëmurët në pediatri, shkak virozat e stinës
Nga një situatë e qetë, nëntori ka shtuar në mënyrë të shpejtë shtrimet në pediatrinë e spitalit rajonal të Shkodrës.
17 fëmijë ndodhen në kujdesin e mjekëve, ndërsa vizitat ditore shkojnë deri në 35 të tilla.
"Këtë periudhë është një situatë normale, duke menduar se sezoni është i tillë, ku ka më tepër paraqitje, se sa para 2, 3 javësh. Aktualisht kemi 17 fëmijë të shtruar, kemi pas kohë që s'kemi pasur këto shifra."
Nga të gjithë vizitat, vetëm 2 raste janë paraqitur me simptoma dhe kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, por pa shenja të rënda dhe po ndiqen nga mjeku i familjes.
"Nuk kemi raste me Covid. Kemi pasur vetëm 2 raste gjithsej. Një që është paraqitur në spital, që ka pasur nevojë për trajtim. Ndërsa tjetri është paraqitur në këshillin ambulator."
Këshillat kryesore të mjekëve janë që të shmangen grumbullimet, edhe pse një gjë e tillë në shkolla e kopshte është e pashmangshme.
Kur ndodhemi në prag të festave të nëntorit e më pas ato të fundvitit, pediatrja Greta Naraqi nuk ndan mendimin se organizimet duhen ndaluar brenda mjediseve arsimore, por këshillon ndjekjen e protokolleve.

/Ora News/



