Gjykata e Pogradecit mbyll 40 ditë në qeli drejtorin e shkollës, ai e mohon akuzën: Kurth për postin

Prokuroria e Pogradecit beson se e vërteta për skandalin e dyshuar të ngacmimit seksual të dy nxënëseve nga drejtori i shkollës së fshatit Stropckës, ndodhet në tre celularë që janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekspertizë. Deri në zbërthimin e mesazheve  mësuesi Adriatik Haxhillari do të qëndrojë 40 ditë në burg.

Gjykata e Pogradecit vendosi të mbyllë 40 ditë në qeli, Adriatik Haxhillarin, drejtorin e shkollës së fshatit Stropckë, të arrestuar dhe pezulluar nga detyra me akuzën e ngacmimit seksuale të dy nxënëseve të mitura.

Kjo kohë duhet të përdoret nga organi i akuzës për të përfunduar hetimin mbi skandalin e dyshuar seksual në institucionin arsimor.

Për këtë qëllim, prokuroria ka sekuestruar telefonat celular të dy vajzave dhe të mësuesit Adriatik Haxhillari, të cilët janë dërguar për ekzaminim.

Përtej pretendimeve të dy nxënëseve të mitura, e vetmja pronë në duart e hetuesit është një Emoji, një ikonë kafeje që drejtori i ka nisur njërës prej vajzave.

Ky mesazh është fshirë shpejt nga 59 vjeçari, por vajza ka arritur t'i bëjë një fotografi të cilën e ka ruajtur.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, séanca e rivlerësimit të masës së sigurisë për Adriatik Haxhillarin u mbajt me dyert të mbyllura.

Para togave te zeza ai mohoi akuzën.

Jashtë ambienteve të gjykatës dhe pas kamerave, familjarët e 59 vjeçarit, thanë se e gjitha është një kurth i ngritur ndaj tij për shkak të detyrës së drejtorit të Shkollës Demokracia në fshatin Stropckë, të Pogradecit.

Mësuesi Adriatik Haxhillari u vu në pranga ditën e shtunë nga policia e Pogradecit me akuzën e ngacmimit seksual.

Ai akuzohet se u dërgonte SMS dhe ngacmonte me shenja në klasë e oborrin e shkollës dy vajzat minorene që e akuzuan për ngacmim seksual!

Vetë nxënëset e mitura nuk e denoncuar direkt mësuesin Adriatik Haxhillari, por skandali i dyshuar seksual në shkollën e fshatit Stropckë, u zbulua në rrethana të tjera.

/Ora News/