Bursë për produktet bujqësore e blegtorale, Braçe: S'mund të diktojnë çmimet grumbulluesit, ti jepet fund monopolit të imputeve bujqësore

Ndërsa Ministrja e Bujqësisë mori angazhimin për ngritjen e një Akademie për trashëgimin e profesionit të barinjve, deputeti socialist Erjon Braçe kërkon një bursë për mallrat bujqësore dhe blegtorale.

Braçe tha se bujqit nuk mund të mbeten në varësi të grumbulluesve.

Ai gjithashtu shtoi se duhet ti jepet fund monopolit të tregut të imputeve bujqësore.

Braçe: Kemi një problem shumë të madh me çmimet. I kemi vënë bujqit nën varësi të grumbulluesve. Çmimet sot në bujqësi janë çmime me të cilat zgjohet në mëngjes grumbulluesi. Për shkak se grumbulluesit kanë filluar të ndërtojnë dhe një cikël të mbyllur brenda punës së tyre, kanë filluar të ndërtojnë dhe sera, të hyjnë dhe në prodhim, pasi shesin prodhimin e tyre nuk interesohen më fare për çmimin e komshiut në krah që nuk ka serën e madhe dhe të bukur të financuar dhe nga shteti por ka një serë të vogël të ndërtuar me kursimet e veta. Nuk mundet që këta të diktojnë çmimet e tyre të mëngjesit. Kjo varësi duhet të prishet ashtu si varësia nga çmimet e imputeve bujqësore duhet të prishet. Nuk shkon që nuk ka pasur efekt historia e imputeve bujqësore dhe përsëritet.

Kam qenë në fshat dhe çmimet e imputeve bujqësore nga 2018 në shkurt të këtij viti kanë qenë 1/3 e çmimeve që janë sot. Kemi përgjegjësi përtej përgjegjësisë së tregut? Po sepse kemi lejuar që të krijohet një shoqatë e 10 prej këtyre që tani përcakton çmimet, ka një udhëzim të Ministrisë së Bujqësisë që u ka dhënë ekskluzivitete brenda territorit shqiptar, u ka dhënë mundësi ti imponojnë bujkut çmimet e tyre. Nëse kemi hall tatimin ok, por hall më i madh se tatimi është kontrolli që i bëjnë këta tregut. Këtë varësi duhet ta shembim sot, nëse jo kostoja e punës në bujqësi do të vazhdojë të rritet.

Në fund mbetet padobia e punës me tokën. Nevoja në këtë rast është bursa e mallrave bujqësore dhe blegtorale. Një bursë i nxjerr produktet bujqësore nga varësia e zgjimit të grumbulluesit në mëngjes, nga nevoja e grumbulluesit për të përfituar nga ferma e vet dhe e tjetrit, nga grykësia e grumbulluesit dhe nevoja politike disa herë e grumbulluesve për të bërë këtë që bëjnë sot. Sa më parë të jetë e mundur bursa dhe sa më parë të jetë e mundur informimi i bujkut për çmimet që ai do të dalë në treg. Ta dijë që kur hedh farën për të mbjellë që çmimi do të jetë ky. Bursa jo vetëm do të detyrojë formalizimin por do të shtyjë akoma më përpara kontratat midis blerësit dhe bujkut prodhues.