Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë për Saimir Tahirin

Gjykata  e Lartë konstaton se ne gjyqin ndaj ish-ministrit te Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pasur shkelje proceduriale. Sipas vendimit te zbardhur prokuroria i dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza.

Gjykata gaboi pasi nuk i dha mundësinë Tahirit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse sipas ligjit njihet rikualifikim ndryshe i veprës penale, por duke i dhënë mundësinë të pandehurit të paraqesë argumentet e tij.  “Shkelje procedurale që kanë shkaktuar shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i papajtueshmërisë së anëtarëve të trupit gjykues”, vlerëson Gjykata e Lartë. 

Në vendim thuhet se gjyqtarët e çështjes ishin në konflikt interesi.

“Pengesa ligjore e gjyqtares Albana Boksi në gjykimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është pasi ajo gjyqtare ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të të pandehurit Taulant Haxhiraj, i cili është bashkuar nga prokuroria me procedimin penal pjesë e të cilit është dhe i pandehuri Saimir Tahiri “

“Po ashtu dhe gjyqtarja Nertina Kosova ka pasur pengesë ligjore për shqyrtimin e çështjes, pasi ka marrë pjesë në trupin gjykues që ka shqyrtuar çështjen për zëvendësim mase sigurimi ne ngarkim të të pandehurit Meridian Sulaj, që për efekt të fakteve dhe akteve konsiderohet i lidhur me procedimin në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela”.

Bazuar ne këto fakte Gjykata e Larte thotë se, papajtueshmëria e gjyqtarëve, në shqyrtimin e çështjes Tahiri e bën vendimin te pavlefshëm pasi ka cënuar të drejtën e të pandehurve për tu gjykuar nga një trupe e paanshme, për rrjedhojë, sjell prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim./Ora News/