Braçe, Ministres së Bujqësisë: Do garantojmë ushqim këtu apo do jemi të varur totalisht? Keni menduar që na duhet grurë?!
Rritja e çmimeve të grurit i kërcënoi këtë vit shqiptarët me shtrenjtimin e produktit më bazik, bukës. Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e grurit në import kanë arritur nivelet më të larta që prej vitit 2015.
Për t'ju përgjigjur kësaj situate por ndikimit të ndryshimeve klimatike te produktet bujqësore, deputeti socialist Erjon Braçe kërkoi hartimin e një strategjie për të nxitur prodhimin e grurit dhe misrit në vend.
Duke nënvizuar se kjo është një çështje kombëtare, Braçe tha se se edhe analiza duhet të jetë e tillë dhe se Shqipëria nuk mund të mbetet e varur nga të tjerët për të siguruar ushqim për qytetarët e saj.
Kërkesat Braçe ja parashtroi ministres së Bujqësisë në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua për buxhetin 2022.
Braçe: Ndryshimet e klimës po shfazojnë çdo lloj cikli prodhimi. Dëmet që u shkaktuan kësaj here në blegtori dhe bujqësi në Fier dhe Berat për shkak të mbjelljeve jashtë sezonit, temperaturave tmerrësisht të larta, i kanë bërë dëm bujqve dhe blegtorëve. Do merremi me këtë gjë? A nuk duhet ulur bashkë me Universitetin Bujqësor dhe aktorë të tjerë për të bërë një studim të mirëfilltë? Çështja e ushqimit është çështje e sigurisë kombëtare.Me ndryshimet klimatike dhe e ndjemë të paktën te drithërat këtë vit, duhet të analizojmë në nivelin e sigurisë kombëtare, do garantojmë ushqim këtu apo do jemi të varur totalisht? Në kushtet e një ngjarje si pandemia ku rrugët mbyllen dhe kostot e transportit rriten dhe në kushtet e ndryshimeve klimatike ku prodhimi bie, rendimentet ulen dhe secili fillon dhe mbron kombin e tij apo bën gjeopolitikë me ushqimin, ku do të jemi ne? Keni menduar që na duhet grurë. Si ka mundësi që gjithë fusha e Tërbufit mbillet me jonxhë ose luledielli? Sepse kostoja është minimale dhe ne nuk ndërhyjmë në këtë aspekt tu japim farë misri dhe gruri. U kemi dhënë naftën falas për të punuar tokën dhe nuk është pak, por po ti bëjmë të gjithë këto kush nuk mbjell grurë ku çmimi në grumbullim sot është 37 lekë apo misër ku çmimi është 43 lekë. Të gjithë mbjellin, u del shumë mirë. Do mendojmë për ushqimin, të paktën në produkte strategjike.

