Rama: Ulim më tej moshën e policisë, më të vjetrit te Illyrian Guard. Qendër e re për krimet kibernetike


Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se do të ulin më tej moshën e policisë. Ai sqaroi se efektivët që kanë një moshë të caktuar do të spostohen me të njëjtin status në Illyrian Guard, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Rama: Është ulur mosha  e policisë së shtetit, por duhet ulur edhe më shumë. Duhet rishikuar raporti mes policisë së shtetit dhe Illyrian Guard duke vendosur në dispozicion të tyre bashkëpunim që në një moshë të caktuar efektivët pa e humbur statusin të spostohen për të bërë një punë më të lehtë në Illyrian Guard në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Krimet kibernetike do të kenë një vëmendje të madhe me qeverinë e re.

Kryeministri tha se do të ngrihet qendra e re kundër krimit kibernetik si dhe do të shtohen programe të tilla edhe në Akademinë e Shkencave që vendi të ecë para në këtë fushë.

Rama: Domosdoshmëria për rritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë, ka ende shumë punë për të bërë. Policia e Shtetit ka të gjithë flotën në funksion të plotë dhe të modernizuar dhe vit pas viti mund të shtojë lehtësisht mjete të tjera. Që Akademinë e Sigurisë ta bëjmë më atraktive do të fusim edhe programin kundër krimit financiar dhe kibernetik. Një tjetër investim i rëndësishëm që do të përdoret nga disa entitete dhe policia dhe ministria  e brendshme do të jetë një nga identitet kryesore që do e përdorin është qendra e re që do përdoren nga kundër krimit kibernetik.

Në fund të fjalës së tij në aktivitetin e zhvilluar për prezantimin e buxhetit 2022 për Policinë e Shtetit, Kryeministri tha se meritokracia është një arritje shumë e madhe në vitet e fundit për policinë në vend.

Rama: Rekrutimi në policinë e shtetit tashmë kalon vetëm përmes rrugës së meritës. Tani është qe qartë se partia në pushtet, ministrat e saj, deputetët e saj nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin një njeri në polici thjesht për hatër. Është rritur cilësia e punës së SHBÇBA, që me ligjin e ri bëhet edhe më e rëndësishme. Puna e bërë dhe rezultatet e arritura dhe mesazhi i dhënë nga ky shërbim se këtu nuk ka të paprekshëm dhe se këtu gjithkush që shkel uniformën përballet me ligjin, na e bëjnë të ardhmen e afërt shumë inkurajuese. Nga ana tjetër kemi aspektin e rëndësishëm të vlerësimit të vazhdueshëm të meritës edhe brenda për brenda.