Panele diellore në stane, Ministrja Krifca shkon përtej Akademisë së barinjve: Lehtësojmë punën e blegtorëve

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ideatore e Akademisë së barinjve premton tani panele diellore në stane. Ndërkohë, ish-zv/kryeministri,  Erion Braçe, ka bërë opozitën në diskutimin e buxhetit. Ai i kërkoi Ministres prishjen e kontratave të qirasë së tokave që sipas tij banditët ua kanë marrë fermerëve.

"Nuk duan njerëzit të shkojnë në mal të jenë barinj. Është e vështirë. Nuk është vetëm çështje shkolle, është një profesion i trashëguar të cilin duam ta ruajmë. Çfarë do bëjmë ne, do incentivojmë të rinjtë, do shkojmë ti gjejmë, do bëjmë një Akademi për ta."

Inovacioni i Ministres së re të Bujqësisë, Frida Krifca, nuk ndalet këtu. Ajo e mbron idenë e Akademisë edhe pse në opinionin shqiptar është pritur me ironi ndërsa këtë të martë shkoi më tej, deri te panelet diellore nëpër stane.

Krifca: Të mbështesim stanet me infrastrukturën e nevojshme apo edhe me panele diellore që të lehtësojmë jetën e tyre dhe të mbështesim sa më shumë këto profesionistë. Kam takuar një bari në Leuse, i cili kishte në çantë një panel diellor të vogël të cilin e përdorte për të karikuar telefonin e tij. Ne jemi vigjilente, kuptojmë nevojat e sektorit, nuk do ecim në rrugë të pashkelur, do ecim në rrugën më të mirë në këtë sektor.

Por, sipas opozitës problematika më e madhe është rënia e numrit të bagëtive.

Spaho: Nuk shqetësoheni që numri i krerëve ka rënë. Ju thoni të shtojme çobanët, por nëse nuk ka kokë bagëtie ata do rrinë në Facebook.

Opozitë ndaj qeverise ka bërë ish-zëvendëskryeministri Erjon Braçe. Ai ngre shqetësimin e kontratave të dhënies me qira të tokave bujqësore.

Personat që kanë marrë këto parcela janë banditë sipas tij ndaj dhe i kërkoi Ministres së Bujqësisë prishjen e kontratave.

Braçe: Nuk e di e sata ministre jeni që po ua them këtë. Janë disa kontrata që dhënies së tokës me qira që kanë përfunduar në duar të këqija, madje po vriten për ato kontrata. Ka mundësi që ju të auditoni sa më parë këto kontrata dhe të prishni kontratat ku rezultojnë persona të papërshtatshëm sepse janë banditë. Mos presim që SPAK të verë sekuestrimin e pronave të tyre.

Paqartësive të krijuara në lidhje me taksimin e qumështit pluhur, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca i përgjigjet:

Krifca: AKU i kërkon kompanive shqiptare të evidentojne nëse kanë me shumë se 2% të qumështit pluhur në etiketim. Do të ketë kontrolle. Për ata që nuk e evidentojnë në etiketë ka një akcizë. Për kompanitë që e aplikojnë në etiketë nuk do ketë akcizë.

Në Shqipëri deri tani nuk janë kryer kontrolle për etiketat e produktit nëse ato përkojnë ose jo me përmbatjen.