"Për çfarë del ai në TV?" Braçe sulmon grumbulluesin: Ka marrë 1 mln euro nga qeveria, kë do mbyllë ai?
Deputeti Erjon Braçe mori dhe njëherë në mbrojtje fermerët duke sulmuar grumbulluesit.
Ndërsa citoi lajmin për mbylljen e pikave të grumbullimit ditën e nesërme, Braçe tha se nuk mund të dalë të ankohet në Tv një grumbullues që ka marrë 1 mln euro nga qeveria.
Braçe: Për shkak të politikës fiskale një pjesë e madhe e sektorit të ekonomisë është zhytur në llum në evazion fiskal. Pronarët e fabrikave që vijnë këtu dhe qajnë hallin janë në hall vërtetë, nuk e shtyjnë dot më duke gënjyer me faturat dhe TVSH. Duam ta rëndojmë akoma më shumë situatën? Nuk mban më. Po shikoja lajme tani që duan nesër të mbyllin të gjithë pikat e grumbullimit. Po bujqit ku do shkojnë? Kastraveci dy ditë duron, domatja ja dhe tre ditë të tjera… E kuptoni çfarë varësi kemi bërë me politikën fiskale dhe paqëndrueshmërinë e politikës fiskale të bujkut nga këta grumbulluesit. Shoh njërin në pamje që ka marrë 1 milion euro nga kjo qeveri, për çfarë më del në Tv? Kë do mbyllë nesër ai? Po prodhimi që është në sera çfarë do të ndodhë?
Sipas Braçes, politika duhet të ulet dhe të përcaktojë njëherë e mirë politikat e mbështetjes dhe sistemin e taksimit në fshat.
Braçe: Të zgjedhim politikat që ndihmojnë prodhimin, formalizojnë edhe prodhimin edhe fermën, formalizojnë edhe grumbullimin dhe eksportin me qëllim që gjithë ekonomia të jetë e ligjshme, e pastër si puna e bujkut.
