"Tokat e shtetit u janë dhënë me qira banditëve", Braçe kërkon auditim të kontratave: Po vriten për to!
Deputeti, Erjon Braçe, i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë të nisë një auditim të kontratave të dhënies së tokës së shtetit me qira.
Në Komisionin e Ekonomisë ai deklaroi se një pjesë kanë përfunduar në duar të krimit, që kanë ngrirë paratë në bujqësi por që tokat kanë mbetur djerrë dhe për më tepër siç tha ai po shërbejnë dhe për konflikte që çojnë deri në vrasje.
Braçe: Nuk e di e sata Ministre e Bujqësisë ju jeni dhe që po e ngre këtë shqetësim, janë disa kontrata të dhënies së tokës me qira që kanë përfunduar në duar të këqia, madje po vriten për ato kontrata. Sot që flasim janë djerrë. Mundet që dikush të ketë investuar ca para por bujqësi nuk ka bërë me to. Ka mundësi ti auditoni sa më parë këto kontrata dhe të prishni kontratat ku ju rezultojnë persona të papërshtatshëm po them unë, sepse janë banditë, të mos presim që SPAK të vendosë sekuestron mbi pronat e tyre. Nga poshtë në Delvinë e Përmet e deri sipër. Të bëhet një auditim i vlefshmërisë së këtyre kontratave në raport me detyrimet kontraktuale që kanë pasur për të ushtruar veprimtari bujqësore deri te rakordimi me institucionet e tjera ligjzbatuese për të marrë mbrapsht shteti atë që i takon para se institucionet e tjera ligjzbatuese të marrin masa ndaj tyre. Nuk e di e sata Ministre e Bujqësisë jeni që e them, askush nuk bën asgjë. Ndërkohë që në zona si Fieri edhe vriten për këtë punë. Do jetë mirë që sa më parë të bëhet auditimi ligjor i tyre, i kontratave dhe të kthehen pas te shteti atë sipërfaqe toke që është e fundme dhe mund të përdoret fare mirë nga të tjerë njerëz, nga komunitetet e atyre zona për të bërë bujqësi dhe siguruar të ardhura.