Fëmijët përballë virozave, shtohen vizitat në qendrat shëndetësore
Në qendrat shëndetësore raportohen një numër i shtuar i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës. Simptomat kryesore janë ato të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, të shkaktuara kryesisht nga ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave. Më shqetësim për mjekët pediatër mbetët edhe infektimi me covid i fëmijëve mbi 14 vjeç.
10 deri te 20 fëmijë në ditë paraqiten te një mjek me simptomat e virozave të stinës.
Sonila Brati, mjekja pediatre në qendrën shëndetësore numër 2 në Tiranë, sqaron se që prej mesit të shtatorit është vënë re një rritje e rasteve të cilat kanë ardhur duke e shtuar.
"Mund të them që muaji tetor ka qenë me një shtim të rasteve, qoftë të virozave të stinës. Mund të them që viroza mund të jenë 10, 15 mbase dhe 20," tha ajo.
Problemet kryesisht janë me rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
"Më tepër probleme të rrugëve të sipërme respiratore, problemet e veshit, të bajameve, këto janë dominante dhe temperatura e lartë," tha Brati.
Shkak është bërë ndryshimi i menjëhershëm i temperaturave gjatë ditës.
"Këtë mund ta lidh me një kohë totalisht të papërshtatshme të temperaturave që shkojnë 26-27 gradë dhe pastaj ka një kontrast me mëngjesin dhe darkëm," tha Brati.
Por veç virozave nuk mungojnë rastet pozitive me covid, tetori u mbyll me 10 të tillë vetëm te një QSH.
"10 fëmijë me Covid të raportuar në periudhën e tetorit, 1 deri tani në ditët e para të nëntorit," shtoi Brati.
Kryesisht më të rrezikuar përball coronavirusit janë moshat mbi 14 vjeç.
"Kryesisht moshat mbi 14 vjeç, 14 deri 18 vjeç janë më prezentë me tampon pozitiv dhe me Covid pozitiv," tha Brati.
Ndërkohë në pediatrinë e QSUT po trajtohen 9 fëmijë nga mosha 1-14 vjeç, pasi janë të prekur nga coronavirusi.
