Rama komenton incidentin në Qafë Mollë: Uniforma e policisë nuk meriton stërkala balte nga policë të tillë
Kryeministri Edi Rama zgjodhi prezantimin e buxhetit të Ministrisë së Brendshme për 2022 për të komentuar incidentin e policit në Qafë Mollë me gazetaren dhe operatorin e dy televizioneve.
Rama tha se sjellja e policit është e patolerueshme dhe raste si ai nuk duhet të balton gjithë mundin dhe sakrificat e policisë së shtetit.
Edi Rama: Mirënjohje për punën, sakrtificat dhe rezultate. Është për të ardhur keq kur individë të caktuar me uniformën e policit të shtetit siç ishte rasti më i fundit i dikujt që keqtrajtoi në mes të rrugës një gazetare jo për faktin se vajza se ishte gazetare por për faktin se duke qenë gazetare ngjarja u bë dhe më e bujshme. Por në thelb për faktin që keqtrajtoi një qytetare hedhin hije mbi gjithë këtë punë, sakrifica dhe rezultate. Çdo njëri prej jush, i punonjësve të policisë së shtetit që çdo mëngjes del nga shtëpia për të shkuar në një front të vështirë nuk e meriton që në punën e tij dhe imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin të ketë të tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e patolerueshme e vijës së sjelljes së punonjësit të policisë së shtetit.
Është e rëndësishme që jo vetëm të veprohet siç u veprua dhe siç është vepruar si rregull me shpejtësi dhe pa asnjë tolerancë ndaj këtyre individëve duke i larguar menjëherë nga policia e shtetit, por është po kaq e rëndësishme që në vijimësi të theksohet për të gjithë nga ana e drejtuesve domosdoshmria që të mbajnë parasysh se trupa e policisë së shtetit, figura e policisë së shtetit nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe fjalë të tepërt sepse është mishërimi i ligjit dhe ligji nuk flet, nuk bërtet, nuk kërcënon, nuk shan, ligji vepron. Në veprimin e ligjit është krejt e tepërt të shtohen gjeste dhe të bëhen akte që faktikisht i ulin kokën atë ditë dhe nganjëherë dhe për disa ditë më radhe të gjithë punonjësve të policisë së shtetit të cilët fatkeqësisht në atë moment shihen të gjithë me atë sy për shkak të dikujt që nuk e meriton të jetë kolegu apo kolegia e tyre.Në fakt kolegët zakonisht dallohen për këto sepse kolegët janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e sjelljes dhe efikasitetit të policisë së shtetit kudo ato kryejnë detyrën.