"Do flas për çobanë, peshkatarë e speca", Krifca: Deklarata për Akademinë e Barinjve u keqkuptua, do çojmë panele diellore në stane

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, shfrytëzoi mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë ku po diskutohej buxheti për bujqësinë për 2022 për të sqaruar edhe njëherë deklaratën e saj për ngritjen e Akamisë së barinjve.

Krifcka tha se kjo nuk është një shpikje por një praktikë që ndiqet në disa vende të botës për të trashëguar këtë profesion.

Krifca: Ka pasur një keqkuptim të ndodhur me artikulimin e fjalës akademi. Së pari unë në vijim të komisionit unë kërkova ndjesë për mënyrën se si u drejtova deputetes, është pjesë e emocioneve dhe entuziasmit mes kolegëve e kuptova qe nuk ishte mënyra e duhur. Në lidhje me fjalën akademi, nuk e kemi shpikur, e kemi parë në disa vende të botës, Zvicër e shumë të tjera. Ka një qasje të migrimit të profesionit, të atyre të vështira, po përpiqemi që të japim mbështetje për këtë profesion për ti angazhuar me tej. E kemi konsultuar dhe me donatorët.

Të mbështesim stanet me infrastrukturën e nevojshme apo edhe me panele diellore që të lehtësojmë jetën e tyre dhe të mbështesim sa më shumë këto profesionistë në fushën e vete. Unë që në periudhën time si drejtoreshë, jam konsultuar. Është një program që do ta përforcojmë për ta ruajtur traditën, jo vetëm te barinjtë por dhe të fermerëve të rinj. Do kemi kohë ta shpalosim programin në vijim. Desha ta sqaroj se ka pasur vëmendje dhe në media.

Por Ministrja insistoi se deklarata e saj është nxjerrë pak jashtë kontekstit.

Krifca: Fjala ime ka dalë pak jashtë kontekstit. Kemi evidentuar ashtu si vende të tjera që formimi profesional në bujqësi ka vështirësi. Bujqësia është një sektor i vështirë dhe jo të gjithë njerëzit zgjedhin ta bëjnë. Ose vjen nga shpirti dhe ti do ta bësh se ke parë babain tënd, familjarin tënd që e ka kryer këtë funksion. Dhe mua më duhet të flas dhe për çobanë, dhe për peshkatarë, dhe për speca…, këtë detyrë kam se jam ministre e Bujqësisë, pavarësisht se si do të përdoren fjalët e mia dhe jam e sigurt që kështu do përdoren dhe në të ardhmen. Për këto gjëra do flas.

A është fjala akademi e duhura? Praktikat botërore e përdorin, në shqip nuk përkthehet. Gjatë 2022 do të vi përsëri këtu dhe do t'ju dëshmoj si po e ngrejmë ne këtë strukturë, si  po e ndihmojmë këtë profesion të trashëgohet. Kam takuar një bari në Leuse duke zbritur nga mali që në çantën e shpinës kishte një panel të vogël diellor që e përdorte për të karikuar Iphonin e vet. Jemi vigjilentë dhe kuptojmë nevojat e sektorit dhe nevojat për të udhëhequr dijen që vjen qoftë përmes teknologjisë, qoftë përmes informacionit nga bota. Nuk do ecim në rrugë të pashkelur por në rrugën e eksperiencave më të mira në këtë sektor.

Gjatë fjalës së saj, gjithashtu theksoi se buxheti i 2022 do të jetë një mbështetje e lartë për fermerët dhe jo vetëm.

Krifca: Kemi buxhetin me të madh që kemi pasur ndonjëherë. Brenda programit është mbështetja për fermerët. Tek buxheti 2.2 miliardë do të jetë mbështetja direkte për fermerët. Ne i kemi monitoruar çmimet, çmimet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm. Për blegtorinë do të jepet mbështetje e drejtpërdrejtë me lek për litër. Ne kemi rritje të eksporteve me 16.4 % dhe kjo tregon se ne kemi vëmendjen tek bujqësia…Po synojmë të shkojmë drejt një bujqësie me rendiment të lartë, duke synuar të shfrytëzojmë çdo centimetër tokë.

Ministrja tha gjithashtu se ka nisur puna për inventarizimin e fermave dhe brenda 2022 do të jetë një kapitull i mbyllur.

Sa i takon përdorimit të pesticideve dhe hormoneve, ajo tha.

Krifca: Do të rritet cilësia sepse do të rritet dhe frekuencave e kontrollove qoftë nga AKU dhe AKBN.Do krijohet një sistem gjurmueshmërie.