Ndotja e mjedisit dhe ndërtimet pa leje, Rama u shpjegon policëve ligjin e ri: Janë krime, do u sjellim të dhëna me satelitët

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar policisë së shtetit të ketë zero tolerancë ndaj ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje.

Ai tha se drejtuesit duhet të njihen mirë me gjithçka ka miratuar Kuvendi për këto dy çështje.

Rama referoi rastin e pyllit të Sodës, ku tha se kamionë të tërë me zhavorr janë hedhur në zonë, 3 minuta larg qendrës së qytetit dhe askush nga policia nuk ka parë gjë.

Shefi i qeverisë nënvizoi se në luftën me ndërtimet pa leje dhe ndotjen mjedisore policisë së shtetit do ti vijnë në ndihmë dhe dy satelitët në orbitë, ku i pari do të lëshohet në mars të 2022.

Edi Rama: Projekti tjetër që do jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për policinë e shtetit është projekti i satelitëve, keni dëgjuar me siguri, keni parë dhe shumë gallatë dhe humor me satelitët. Por nuk është aspak keq që njerëzit të qeshin, e qeshura shëndet bëhet por me satelitët që do hedhim, i pari në mars, do të kemi në dispozicion të institucioneve shtetërore të dhëna në kohë reale përditë dhe policia e shtetit do të ketë përditë në dispozicion të dhëna mbi ndërtimet pa leje dhe nuk do të jetë më e varur nga sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë që për fat të keq i kanë sytë hapur katër kur shkojnë dhe i bien në qafë një familje në ndonjë fshat dhe i kanë sytë të mbyllur kur përpara syve ju hidhet zhavorr plazheve të Shqipërisë për të ndërtuar bankina apo për të hedhur beton për të ngritur struktura ndërkohë që gjithçka do të kalojë te një sy tjetër që është lart, që nuk ka kushërinj, miq dhe parti, nuk ka asnjë lidhje emocionale por ka vetëm mbledhje dhe kalim të dhënash në duar të autoriteteve që duhet të punojnë me ato të dhëna.

Po ashtu policia do të ketë me satelitët të dhëna në kohë reale për atë që është luftë e përbashkët, ndotjen e mjedisit, vendgrumbullimet e paligjshme të plehrave të cilat krijojnë sasira plehrash, janë krime mjedisore dhe polici i shtetit është përgjegjës që në territorin ku ai vepron ti identifikojë jo vetëm vendodhjet e këtyre skenave krimi por edhe protagonistët e këtyre krimeve dhe pastaj IKMT që ka kaluar në varësinë e Ministrisë së Brendshme thirret për të vepruar më tutje.

Është e patolerueshme që në pyllin e Sodës të mbushet një sipërfaqe me 3 mijë metra katrorë zhavorr për të cilën duhen kamionë të tërë që shkojnë e vijnë 3 min nga qenda e qytetit dhe policia as të mos shikojë dhe as të dëgjojë asgjë. E patolerueshme të hidhet zhavorr për të ndërtuar platformë pa leje në plazhin e Jonufrës apo përgjatë vijës bregdetare dhe askush të mos dijë asgjë dhe gjithçka të varet nga një qytetar që mund ta shohë dhe të marrë mundimin të lajmërojë me një mesazh një autoritet të caktuar apo një televizion.

Do tu lutesha shumë që drejtuesit e policisë në radhë të parë të lexojnë nen për nen çka është miratuar së fundi nga parlamenti në këtë drejtim, të lexojë se këto janë krime, policia e shtetit është përgjegjëse dhe goditja e ligjit për ata që i bëjnë këto krime është rënduar maksimalisht. Nuk është më ligji që kur ti kapesh duke mbyllur pyllin me zhavorr të vihet një gjobë dhe e kthen në gjendjen e mëparshe, ligji është që kur ti bën një akt të tillë arrestohesh dhe shkon para drejtësisë. E njëjta gjë vlen për ndërtimet pa leje. Çdo ndërtim që ka shkelje është i paligjshëm. Nuk mund të ketë katër kate me leje dhe dy pa leje, të angazhohet gjithë shteti për të prishur dy katet lart. Jo gjithë godina është e paligjshme. Për këtë paligjshmëri subjekti merret dhe çohet para drejtësisë ndërkohë që gjithë godina prishet, kështu e ka ligji i ri.

Deklaratat Rama i bëri gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Brendshme.