Tjetërsoi e shiti pronë në Dhërmi, pranga topografit të Bashkisë Himarë, pjesë e skemës së Trocit
Topografi i Bashkisë Himarë, Elton Marko, është vënë në pranga për tjetërsim të pronave në Dhërmi. Zyrtari 41-vjeçar dyshohet se përmes falsifikimit regjistroi një pronë rreth 3 mijë euro në emër të familjarëve dhe më pas e shiti për vetëm 5 mijë euro. Zyrtari i Bashkisë Himarë, dyshohet se është pjesë e grupit të ish- kryeregjistruesit Klodian Troci, të cilët dyshohet se kanë tjetërsuar rreth 63 mijë metra katrot tokë buzë detit.
"Është Alket Hyseni, familja Marku, janë shumë."
Denoncimet për tjetërsimin e tokave në bregdet pas arrestimit të krye-regjistruesit Klodian Troci, i cili dyshohet se qëndronte në krye të një skeme të vjedhjes së pronave kanë zgjeruar rrjetin e zyrtarëve të përfshirë.
Hetimet kanë çuar në pranga topografin e Bashkisë së Himarës, Elton Marko, 41 vjeç.
Burimet thonë se Topografi i bashkisë Himarë, përmes falsifikimit të firmës së zyrtarëve ka përpiluar dokument AMTP dhe ka regjistruar në ASHK-në Vlorë, një tokë në fshatin Dhërmi, nën pronësinë e familjarëve të tij.
Më pas Elton Marko, ja ka shitur tokën me sipërfaqe rreth 3 mijë metra katror një personi të që sipas burimeve identifikohet si Gerlind Muçaj për një çmim prej 5 mijë eurosh.
Vlera e çmimit te shitjes se tokës dyshohet te jete fiktive, kur dihet e Dhërmiu është një prej zonave më të lakmuara për ndërtime dhe vlera e tokës atje është disa herë më e lartë.
Burimet pranë grupit hetimor thonë se dyshimet janë se topografi i Himarës është pjesë e rrjetit të zyrtarëve që përmes falsifikimit tjetërsonin prona në bregdet.
Pak javë më parë, ish krye-regjistruesi Klodian Troci dhe Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni u arrestuan për tjetërsim të pronave në Dhërmi.
Prokuroria e Vlorës, mbi bazë të dosjes dyshon se përmes skemës së sofistikuar kriminale janë tjetërsuar 63 mijë m2 tokë në fshatin Dhërmi.
Për shkak të problematikave me tokat në bregdetin e jugut dhe akuzave e dyshime për abuzime e korrupsion kadastra e Vlorës ka ndryshuar 10 drejtues në më pak se dy vite.
Njoftimi i policisë
Më datë 08.11.2021 ora 20:30 min, është bërë ekzekutimi i Vendimit Penal nr.437, datë 06.11.2021, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arest në burg” për shtetasin në kërkim Elton Arqile Marko, i datëlindjes 26.04.1980, lindur dhe banues në fshatin Dhërmi ,Himarë, me arsim 16 klasë, me pune topograf pranë Bashkisë Himare, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të vepres penale” parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal, pasi shtetasi Elton Marko ka arritur të falsifikoj formularin e Aktit të Marjes së Tokës në Pronësi te cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi, të cilën më pas e ka shitur tek persona të tjerë. Po kështu ky shtetas është dhe autor i ngjarjes me Nr.Unik 202108110746, për vepren penale të “Shpërdorimit të detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 248 i K.P.
