Rrëmbeu 11-vjeçaren për nuse, 19 vjeçari nga Cërriku: Vajza nga Lushnja më gënjeu për moshën
19 vjeçari nga Cërriku i arrestuar me akuzën se rrëmbeu dhe kreu marrëdhënie seksuale me një vajzë 11 vjecare nga Lushnja do të qëndrojë në qeli deri në fund të hetimit pasi gjykata caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Fisnik Halili, ka deklaruar se vajzën e mori në shtëpi për nuse me dëshirën e saj edhe pse ishin njohur vetëm një javë më parë në rrjetet sociale.
Gjatë marrjes në pyetje por edhe para togave te zeza, ai ka këmbëngulur se vajza nuk i kishte treguar në asnjë moment se ishte vetem 11 vjece.
"Ai nuk pranon të ketë kryer marrëdhënie seksuale. Ai pranon që e ka marrë në shtëpi për qëllime serioze dhe në asnjë moment nuk i është bërë me dije se vazja ka qenë e mitur."
Sipas avokates mbrojtesë, 19 vjeçari ka mohuar akuzën e abuzimit seksual me minorenen, por prokuroria po pret rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore për të vijuar hetimin.
I riu nga Cërriku u denoncua nga prindërit e 11 vjecares që banon në një fshat të Lushnjes, ndërsa familjarët e tij e kanë cilësuar ngjarjen rrëmbim dashurie, edhe pse kanë deklaruar se kanë qenë kundër veprimit të 19 vjeçarit.
Përgjatë këtij viti, në Shqipëri janë zbuluar disa histori tronditesë abuzimi seksual me fëmijë, ndaj dhe qytetarë e aktivistët kanë kërkuar forcimin e ndëshkimit për abuzuesit./Ora News/


