"Shqiponjat" kapin në befasi çunat e "Partizanit" në Vlorë, ja futin vrapit, njëri hedh nga çanta pistoletën

Tre persona ranë në prangat e policisë së Vlorës gjatë një kontrolli të befasishëm në lagjen "Partizani" të qytetit.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje kanë ndaluar për kontroll disa shtetas në këtë lagje.

Tre prej tyre, shtetasit Marjan  Brahimaj, Xhuljo Likaj dhe Çerçis Velaj kanë tentuar t’i shmangen kontrollit fizik, duke u larguar me vrap.

Njëri prej tyre, shtetasi Marjan  Brahimaj ka hedhur nga çanta e tij e dorës, një armë zjarri pistoletë.

Brenda pak minutash, të tre këta shtetas janë kapur dhe vënë në pranga nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit tip pistoletë dhe 1 krehër me fishekë luftarak.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatit të Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-M. B., 20 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”;

-Xh. L., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-Ç. V., 25 vjeç, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.