“I tradhëtuan” gjurmët, kapen tre grabitësit që terrorizuan familjen e noterit në Sarandë
Tre persona janë arrestuar si autorë të grabitjes me armë dhe dhunë të banesës së noterit Thoma Kaçi, më 20 tetor në Sarandë, ku ata morën një sasi të madhe parash. Policia thotë se arriti ti identifikojë mbi bazë të provave.
Ky është momenti i arrestimit të tre autorëve të dyshuar të grabitjes me armë dhe dhunë të familjes së noterit, Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur më 20 tetor në Sarandë.
Në prangat e forcës operacionale të Policisë përfunduan:
-Elis Avduli, 52 vjeç, lindur dhe banues në Konispol, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
- Oltjon Kolonja (Pula), 39 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Sarandë;
-Vladrias Himaj, 34 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Sarandë;
Mbi bazë të provave të prokurorisë të siguruara gjatë hetimit, gjykata e Sarandës kishte nxjerrë urdhër arreste për tre autorët e dyshuar që u kapën duke qarkulluar me makina..
Disa ditë pas ngjarjes, Policia e Sarandës kishte arritur të gjejë edhe automatikun kallashnikov që ata Elis Avduli, Oltjon Kolonja (Pula), dhe Vladrias Himaj, përdorën për të grabitur familjen e noterit Thoma Kaçi.
Mëngjesin e 20 Tetorit, në kohën kur tre anëtarët e familjes po dilnin nga banesa, tre grabitësit po i prisnin një kat më lart dhe kur kanë dëgjuar lëvizjet janë hedhur në aksion.
Të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov dhe thika ata i kanë detyruar të tre të futen në apartament ku i lidhën dhe i kërcënuan.
Nën presion, Thoma Kaçi, është dorëzuar dhe u ka dhënë një shumë parash që sipas burime ishte rreth 2 mln lekë.
Hetimet ndërkohë vijojnë për të zbardhur ngjarjen, ku nuk përjashtohet as pista e se grabitja është pasojë e veprimtarisë së noterit që rezulton se ka qenë nën hetim si i përfshirë në disa shitblerje të paligjshme dhe të falsifikuara apartamentesh në Sarandë.
