Pamjet/ Nga Gjermania drejt Shqipërisë, tre shqiptarëve u kapin 11 kg kokainë të pastër brenda në makinë
Autoritetet italiane të qytetit të Veronës kanë informuar se kanë sekuestruar 11 kg kokainë e kanë vënë në pranga 3 korrierë shqiptarë.
Tre korrierët shqiptarë po udhëtonin me dy automjete lluksoze me targa gjermane, e u ndaluan në autostradën A22 Brennero.
Kokaina u gjet e fshehur në një fund të dyfishtë të njërit prej automjeteve ku po udhëtonin 2 prej shqiptarëve të ndaluar, e ishte seleksionuar në 10 pako prej mbi 1 kg e me peshë totale mbi 11 kg.

Financierët italianë informojnë se kokaina ishte e cilësisë mjaft të pastër e nëse do të mbërrinte në tregun e konsumit do të sillte një përfitim mbi 1 milionë euro.
Ndalimi i dy automjeteve me targa gjermane drejtuar nga korrierët shqiptarë të drogës, u bë nga patrulla e krimit ekonomik e financiar, e Policisë Financiare të Veronës në pjesën rrugore të autostradës A22 që lidh Trenton me Veronën.
Sipas autoriteteve italiane tre korrierët e drogës po udhëtonin duke ndjekur metodën e stafetës, ku automjeti i parë me vetëm 1 shqiptar në bord i hapte rrugën automjetit të dytë me sasinë e drogës të fshehur.

Ka qenë pikërisht kjo mënyrë udhëtimi e shpejtësia e lartë e automjeteve me targa të huaja që ka tërhequr vëmendjen e patrullës së Policisë Financiare.
Në momentin e ndalimit shqiptarët e dy automjeteve kanë shfaqur shenja nervozizmi e dyshimet janë shtuar pasi në asnjë nga automjetet nuk u gjetën bagazhe me veshje personale.
Ky fakt bëri që financierët italiane të bëjnë një kontroll më teknik të automjeteve e në njërin prej tyre u gjet dhe sasia e drogës.
Dy shqiptarë e automjetit ku u gjetën 11 kg kokainë, kanë deklaruar se po udhëtonin nga Gjermania e përmes portit të Barit do të mbërrinin në Shqipëri. Ndërsa shqiptari i automjetit të parë ka deklaruar se po udhëtonte drejt portit të Ankonës e më pas drejt Shqipërisë.

Të tre shqiptarët nuk kishin me vete asnjë dokument udhëtimi e as nuk ishin në dijeni të orarit të ngarkimit drejt Shqipërisë.
Tre korrierët shqiptarë janë arrestuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës e ndodhen në burgun e Veronës, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Të tre janë pa precedent penal e rezidentë në Shqipëri, pra pa leje qëndrimi në Itali.
Autoritetet financiare italiane të Veronës kanë informaur se gjatë 10 muajve të parë të 2021 kanë arrestuar 33 korrierë drogë e sekuestruar 105 kg drogës, 45 kg prej të cilëve janë drogë të rënda si kokainë e heroinë./Ora News/
