Nga Beogradi në Tiranë e Shkup, Vuçiç: Brenda 1 vit apo 1 vit e gjysmë askush nuk do ndalojë askënd në kufi

Samiti i radhës i "Ballkanit të Hapur" i mblodhi në Beograd ku Presidenti Aleksandër Vuçiç, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov folën për angazhime konkrete lidhur me lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes këtyre tri vendeve.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se është rënë dakord që të ngrihet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura, por se përbërja e saktë e këtij këshilli do të vendoset më vonë.

"Puna jonë është të shohim se ku kemi ngecur në praktikë", tha ai në konferencën e përbashkët për media, duke shtuar se është frustruese që marrëveshjet në nivelin politik nuk janë implementuar në tërësi.

“Në 7 deri në 10 ditët e ardhshme do të kemi takime me përfaqësues të doganave, agjencive të ndryshme dhe inspektimeve fito-sanitare për të parë se si po shkon qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve”, tha Vuçiç.

Brenda 1 viti 

Po kështu u shpreh se qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të mund të lëvizin të lirë në rajon për rreth 1 vit e gjysmë. 

“Duam që njerëzit tanë për një vit a 1 vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri nga Beogradi në Tiranë, Tirana në Shkup apo Tirana në Nish. E njëjta gjë nga Nishi në Shkup apo Nishi në Beograd. Që askush të mos ndalojë askënd në kufi. Askush nuk po ndërhyn në gjëra politike dhe as në të drejtën e shteteve tona”

Tirana do të jetë takimi tjetër ku dhe priten të firmosen marrëveshje konkrete ndërsa zv/kryeministri garantoi se situata politike dhe dorëheqja e kryeministrit Zaev nuk do të ndikojë në tërheqjen e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë.