Abuzim në tenderin 7 milionë lekë, SPAK mësyn në bashkinë e Durrësit. 8 të arrestuar për zjarrfikësen e prishur

Abuzimet me një tender të Bashkinë e Durrësit për blerjen e një zjarrfikëseje me autoshkallë që rezultoi se nuk punonte, kanë çuar sot (29 tetor 2021) në pranga 9 zyrtarë dhe punonjës të kompanive private, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.

Sipas Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion që ka ndjekur hetimin, zyrtarët e bashkisë së Durrësit dhe punonjësit e kompanive private kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7.083.000 lekë në periudhën Maj-qershor 2020.

Tenderi mban firmën e Sakos

Mes të arrestuarve është edhe Patriot Beqaraj, ish-Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në cilësinë e anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që dyshohet se ka favorizuar dy kompani për shpalljen e fituesit.

Adriatik Velaj, drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri Durrës, i cili ishte anëtar i grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit.

Ndërsa Tenderi mban firmën e Emiriana Sakos, e cila aktualisht është kryetare në detyrë e Bashkisë së Durrësit.

Kontrolle ne banesa

Mbi bazë të provave të paraqitura nga Akuza, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për shtetasit: Patriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja, Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu, Artan Taho, Riza Sulaj, Albion Bushi.

Ndërsa sot (29 tetor 2021) u bë ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Hetimore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Lulzime Rami do të hetohet me masë e sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa Elona Rami me masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”

Po mëngjesin e sotëm policia ushtroi kontrolle dhe sekuestroi dokumente shtesë pranë bashkisë së Durrësit.

Shperdorim detyre

Sipas SPAK, Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho, me cilësinë e anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, akuzohen për shpërdorim detyre

Patriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja, me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Bashkisë Durrës, dyshohen për "Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpuni.

Ndërsa shtetasit Albion Bushi, Elona Rami, Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim.

NJOFTIM PËR SHTYP

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 25 të vitit 2021, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin  e arsyeshëm, se:

Në procedurën e prokurimit me REF-57495-05-06-2020, të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë (pa TVSH), janë evidentuar shkelje ligjore, te kryera nga shtetasit A.V., M.L. dhe A.T., me cilësinë e  anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal dhe nga shtetasit P.B., Gj.M., I.M., me cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i K.Penal.

Gjithashtu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasit A.B., E.R., L.R. dhe R.S., administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të  “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi i dytë i K.Penal, duke dorëzuar dokumenta të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi.

Janë regjistruar si persona nën hetim, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal edhe shoqëritë R & R Group sh.p.k., Klosi – R Company sh.p.k. dhe Ra – Mi Kompani sh.p.k., subjekte për të cilat vijojnë hetimet, përsa i përket procedurave të tjera të prokurimit ku këto subjekte kanë qenë pjesmarrëse.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 90 akti datë 28.10.2021, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: P.B., Gj.M., I.M., A.V., M.L., A.T., R.S., A.B.

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasen L.R. dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen E.R.

Ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Hetimore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u bë i mundur sot më datë 29.10.2021.