Tre kompani nën hetim nga SPAK, operatorët fitues të 42 tenderave, i lidh mbiemri "Rami"

42 tendera ka fituar kompania për të cilën Prokuroria e Posaçme zbarkoi në orët e para të mëngjesit në Bashkinë e Durrësit. KLOSI-R COMPANY është nën akuzë për procedurën e blerjes së një shkalle zjarrfikëse për Repartin e Durrësit.

Për tenderin në fjalë ky operator me administrator Riza Sulajn dhe ortake Lediana Rami ka ofruar 1.5 milionë lekë më pak se fondi limit.

Operatorët e tjerë kanë ofruar një vlerë më të madhe dhe kjo është arsyeja e fitimit të tenderit.

Për procedurën në fjalë të zhvilluar nga Bashkia e Durrësit kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomikë dhe janë skualifikuar vetëm 2 prej tyre pasi nuk plotësonin specifikimet teknike të kërkuara në Dokumentet Standarde të Tenderit.

Akuzat ndaj kompanisë fituese dhe anëtarëve të komisionit të ofertave kanë të bëjnë me shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Në hetim SPAK ka përfshirë edhe kompaninë tjetër e cila ka marrë pjesë në tender, ‘R & R GROUP SH.P.K.’ me pronare Elona Ramin dhe Lulzime Ramim si dhe operatorin RA-MI Kompani.

Ndërkohë që nuk bëhet me dije se për cilat nga tenderat e tjerë ku janë pjesëmarrëse këto kompani po heton SPAK.

Nga një vëzhgim i shpejtë rezulton se këto kompani i lidhin pikërisht 3 shtetaset me mbiemrin Rami.

Konkretisht kompania KLOSI-R COMPANY ka administrator shtetasin Riza Sulaj dhe ortake shtetasen Lediana Rami, kompania tjetër nën hetim nga SPAK ‘R & R GROUP SHKP ka për pronarë shtetaset Elona Rami dhe Lulzime Rami.

Ndërsa kompania e tretë quhet RA-MI Kompani. Në total operatori ekonomik KLOSI-R COMPANY ka fituar 42 tendera që kapin një vlerë prej 193.7 milionë lekë të reja ose rreth 16 milionë euro.

‘R & R GROUP SH.P.K.’ ka fituar e vetme 29 tendera me vlerë rreth 251 milionë lekë, ndërsa RA-MI Kompani 42 tendera rreth 160 milionë lekë të reja.

Këto kompani kanë përfituar tendera jo vetëm në Bashkinë e Durrësit, por dhe Bashki të tjera dhe ndërmarrje publike.