Alizoti u shqetësuar: PD është drejt çarjes, demokratët të mos lejojnë përçarjen. Lufta brenda tmerrësisht e ashpër
Deputeti i PD Tomor Alizoti tha se PD është pranë përçarjes. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Alizoti tha se në parti është krijuar tension, mes grupit të Bashës dhe atij të Berishës.
Tomor Alizoti: “Kriza ka ardhur nga 2 figurat e PD. Kjo gjë nuk më përfshin as mua as grupin parlamentar dhe as njerëz të tjerë. Meqë liderët kryesore janë përfshirë në përplasje kërkojnë ose të jenë me ata ose kundra atyre. Unë nuk jam pjesë e krizës e nuk kam pse të jem palë me askënd. PD është pranë përçarjes. Janë krijuar dy grupe.
Alizoti i shqetësuar i bëri thirrje demokratëve të mos lejojnë përçarjen.
Tomor Alizoti: "Kemi arritur në një situatë në këtë parti që nuk po na lë të mendojmë çfarë mendojmë ne. Situata në PD ka degraduar kaq thellë e më shqetëson. Unë nuk dua çarjen e PD-së. PD është drejt çarjes. Personat që janë pjesë e konfliktit kanë një përgjegjësi historike mbi këtë parti e cila përfaqëson ata që nuk jetojnë sot, ata që janë sot e do jetojnë nesër.
Nëse ata janë të aftë dhe të mbajnë përgjegjësi të tillë historike të çajnë opozitën shqiptare përgjegjësia do bjerë mbi ta. U bëj thirrje demokratëve të mos të mos lejojnë përçarjen sepse lufta brenda llojit është tmerrësisht e ashpër. PD eshte shumë më e madhe sesa dy individët"
Alizoti thotë se PD-se nuk i duhet një lider por një frymë.
"PD nuk i duhet një lider i duhet një frymë, alternativë, kauzë e të kuptojë se çështë demokracia" thotë ai.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si mund të zgjidhet kjo krizë, Alizoti tha: Ata qe janë përgjegjës të krizës, konfliktit mund të bëjnë hapin e parë që ta ulin krizën. Sepse pozicionet janë shumë të ashpërsuara, sepse që të dyja palët mendojnë që kanë të drejtën e tyre.
Këta të dy mund të ruajnë që PD të mos çahet. Pastaj PD ka nevojë për alternativë, ka nevojë për ideologjinë që nuk e ka patur dhe nuk ka. Nuk e definojmë dot PD është e majtë apo është e djathtë. PD duhet të ketë elitat e saj dhe duhet të ketë një garë serioze.
Thirrja per demokratet
"Dua ti bëj thirrje demokratëve, njerëzve edhe mediave. Mos linçoni më njerëz sepse ky popull mund të jetë nga popujt më të vuajtur në Ballkan e Europë për linçimin e njerëzve. Çdo njeri ka identitetin e tij. Çdo njeri ka qëndrimin e tij. E djathta, PD e njerëzit që vdiqën nëpër burgje vdiqën për identitetin e tyre. Është e turpshme që brenda dhe jashtë PD-së të linçohen njerëzit për karakterin e tyre personal. Kjo është e turpshme" tha Alizoti.