Kuvendi miraton me 117 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për inceneratorët

Kuvendi ka miratuar të enjten në darkë, 28 tetor ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga Partia Demokratike për “aferën e inceneratorëve”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi miratimin e projektvendimit "Për ngritjen e komisionit hetimor" të Kuvendit për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të organeve publike për procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier.”

Projektvendimi mori 117 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim.

Kryetare e këtij komisioni u zgjodh deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ndërsa zv/kryetare, deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, Gazment Bardhi i PD-së e akuzoi Gjiknurin se gjatë kohës së tij si ministër i Energjitikës ka bërë 15 udhëtime me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, duke aluduar për një aferë të mundshme.

Ai mandej e pyeti dhe nëse ka një llogari të fshehtë në Maltë. Në përgjigje të akuzave, Gjiknuri deklaroi se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e Bardhit.

Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi gjithashtu dhe Eurobondin me vlerë 700 milionë euro. Projekt vendimi u miratua me 78 vota pro,  4 kundër dhe 33 abstenim.