Kthjellime dhe rritje temperaturash, njihuni me parashikimin e motit për ditën e sotme

Vlerat e larta barike do të sjellin në vendin tonë gjatë orëve të para të ditës dominim të kthjellimeve në pjesën më të madhe të territorit.

Por pritet që në orët në vijim të kemi shfaqje të vranësirave të pakta në zonën malore dhe pjesërisht në zonën e ulët, ndërsa bregdeti shqiptar mbetet me mot të kthjellët sipas MeteoAlb.

Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes, por do të vijojnë të rriten dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 24°C.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi Jugor – Juglindor duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 2 ballë.

Rajoni dhe Europa

Cikloni i Islandës ka pësuar zhvillim të mëtejshëm duke sjelle në një pjesë të madhe të kontinentit mot të paqëndrueshëm, ku Europa Jugperëndimore dhe brigjet Veriperëndimore të kontinentit do të jenë me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu.

Gjithashtu në ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme do të jetë Europa Veriore dhe Lindore. Ndërsa pjesërisht qendra e Kontinentit dhe rajoni i Ballkanit paraqiten me kthjellime dhe kalime vranësirash.