Formulari “Prindi 1 dhe Prindi 2”, Pano: Duhet t'i gjendet autorësia, personat që e shpërndanë kanë marrë leje diku
Publikimi i një formulari në rrjetet sociale dhe më pas në media ku fjala nënë dhe baba zëvendësohej me prindi 1 dhe prindi 2 ka shkaktuar sërish debat dhe reagime të shumta publike.
Formulari sipas dëshmive është shpërndarë në disa kopshte të Tiranës dhe bën fjalë për regjistrimin në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës. Bashkia e ka mohuar ekzistencën e tij duke e cilësuar si lajm fals.
Lidhur me këtë formular, përpos disa prindërve, pati një reagim edhe nga pastori Akil Pano i cili u shpreh se kjo gjë është bërë pa dijeninë e prindërve dhe në shkelje të plotë të ligjit.
Së fundmi, i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma pastori Pano u shpreh se formulari është i vërtetë, por bashkia dhe grupimi LGBTI+ janë distancuar nga ky formular.
Pano: Formulari më ra në dorë pasi kanë qenë medie dhe portale të mëdha që ndiqen nga mijëra shqiptarë. Tema e sotme është në vijim të një debati të tejzgjatur pasi debati nisi në muajin maj, 6 muaj më parë për të ndryshuar nocionet mami dhe babi me termat prindi 1 dhe prindi 2, por u pa që shoqëria shqiptare i qëndron vlerave tradicionale për kodin e familjes.
Pastori u shpreh se Koalicioni Pro Familjes dhe jetës ka disa muaj që ka formësuar mendimin e tij ëpr sa i takon ruajtjes së vlerave konservatore, fatkeqësisht vlera të cilat opozita zyrtare duhet t'i mbronte me kohë në vendin tonë.
Pano: Opozita duhet në ekzistencën e vet të manifestojë vetveten.
Për sa i përket formularit të sotëm të shpërndarë, Pano u shpreh se duhet t'i gjendet autorësia.
Pano: Formulari nuk ka shkuar në drejtim të paditur. Ne jemi një vend kaq i vogël sa nuk është e vështirë të monitorojmë institucionet ët cilat janë në varësi të bashkisë dhe bashkia e cilitdo qytet qoftë përveçse liçenson kopshtet dhe i ka nën juridiksionin e saj duhet të monitorojë çfarë ndodh në këto kopshte, kush hyn dhe kush del, çfarë materialesh tërhiqen nga institucionet. Personat që e kanë shpërndarë kanë marrë leje diku. Pyetja është se kujt i intereson një material i tillë, kujt i intereson konflikti social.
Ndërsa Bashkia e Tiranës në një reagim zyrtar tha se përdorimi i këtij formulari në kopshtet dhe çerdhet publike është i pavërtetë, duke e shoqëruar edhe më një formular të tyre.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
