Raporti “Save the Children”, Muça: Nxjerr në pah pikat e dobëta të sistemeve, reformat në Shqipëri vetëm në letër

Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të fëmijëve në varfëri në Europë e në Ballkanin Perëndimor. Ky është rezultati i raportit të publikuar të mërkurën (27 tetor) nga Save the Children për 2020.

Pedagogia Arjana Muça në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se ky raport ka nxjerrë në pah pikat e dobëta të sistemeve jo vetëm tek vendet që pretendojnë anëtarësimin në BE por edhe vendet që janë pjesë e saj.

Më tej Muça shprehet se grupet më të prekura nga varfëria janë fëmijët.

Arjana Muça: Më vjen mirë që këto studime ripërsëriten herë pas here për të na treguar dhe pikat e dobëta që kemi në shoqëri. Është një studim që  ka përfshirë të gjithë vendet e BE, dhe këtu bëhet fjalë dhe për vende që kanë një standard të lartë jetese, ku problematikat e varfërisë ende janë të dukshme. Këto janë bërë më të dukshme gjatë periudhës që ne jemi duke kaluar siç është pandemia, e cila nxori më së miri dhe pikat e dobëta të sistemeve. 

Ato që janë grupet vulnerabël të prekura më shumë në këtë shoqëri janë pikërisht fëmijët. Janë faktorët që tregojnë pikat e dobëta të sistemeve që kemi ndërtuar pothuajse të gjithë vendet që përpiqemi të arrijmë standartet e BE, por po shikojmë që kemi dhe vende të BE ku shifrat nuk janë shumë të kënaqshme.

Përsa i përket Shqipërisë, ajo theksoi se në  vendin tonë po bëhen reforma në sistemet sociale, por këto reforma sipas saj janë vetëm në letër dhe jo të prekshme në shoqëri.

Arjana Muça: Shqipëria është duke bërë reforma në sisteme sociale, por a janë të dukshme këto reforma? Do thosha që këto reforma janë vetëm të shkruara në letër dhe jo aty ku duhet, pra te popullata që duhet ta marrë shërbimin. Ne kemi familje që nuk arrijnë të marrin shërbime kyçe, si arsimimi i fëmijëve  që është më e domosdoshmja. Që këtu fillojnë pikat e dobëta të një sistemi dhe aty kuptohet se sat ë prekshme janë këto reforma. Pastaj është edhe shërbimi shëndetësor. Unë do thosha se ka grupe që i përkasin etnive të ndryshme, që nuk e marrin shërbimin shëndetësor.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.