Helmimi masiv në Krujë, deputetja Bakiu: Shteti reagoi pas tre ditësh. Faji bie mbi ujësjellësin e Krujës
Pesë ditë pas ndotjes së ujit të pijshëm, banorë të Krujës vijojnë ti drejtohen spitalit për ndihmë mjekësor me shenja helmimi. Një pjesë e të cilëve për herë të dytë.
Në lidhje me situatën që është krijuar në Krujë, deputetja e opozitës Merita Bakiu është shprehur se numri i të helmuarve që i janë drejtuar spitali ka shkuar deri në 800, ndërsa një pjesë tjetër po trajtohen në shtëpi.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, deputetja u shpreh se qytetarët zgjedhin të kurohen në shtëpi për shkak se infrastruktura nuk është e mirë.
Merita Bakiu: Deri më tani numri i të infektuarve ka shkuar nga 700 deri në 800. Kjo për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm. Ka një numër të madh banorësh që po trajtohen në shtëpi. Infrastruktura e spitalit nuk është e mirë.
Bakiu ka sqaruar dhe situatën e krijuar në Kuvend, pasi mazhoranca nuk pranoi që të ndryshojë rendi i ditës në mënyrë që fillimisht të diskutohej për rastin e Krujës. Bakiu e ka konsideruar mazhorancën të pandërgjegjshme në lidhje me veprimet që bën.
Merita Bakiu: Sot gjatë seancës plenare, Alfred Rushaj kërkoi që të ndryshohej rendi i ditës duke e parë se ky ishte një rast emergjente dhe kishte të bënte me shëndetin e njerëzve, por si gjithmonë mazhoranca nuk pranoi të ndryshonte rast shumë urgjent këtë gjë. Mazhoranca është e pandërgjegjshme në atë që bën, sot duhet të diskutohej në rendin e ditës sepse ka të bëjë me jetën e një qyteti.
Ajo shprehet se është e papranueshme që në një situatë të tillë shteti të reagojë pas tre ditësh.
Merita Bakiu: Është e papranueshme që shteti të reagojë pas tre ditësh pas një helmimi masiv. Reagimi erdhi pas një presioni politik që buron nga opozita nga mediat dhe ankesat që kishin familjarët.
Për deputeten zbardhja e çështjes nuk është bërë akoma, ndërsa shton se përgjegjësia bie mbi ujësjellësin e Krujës.
Merita Bakiu: Presim përgjigjen zyrtare, akoma nuk kemi një përgjigje. Zbardhja e çështjes nuk është bërë akoma. I gjithë faji bie mbi ujësjellësin e Krujës, në mosmenaxhimin si duhet. Nuk kishte sepse të lëshohej uji në qytet pa iu bërë analizat. Kjo është për faj të mosmenaxhimit të ujësjellësit të Krujës.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
