Bashkia nis të “zërë mend”, pas kritikave për tenderat pa garë, në Tiranë lejohen dhe prokurimet me konkurrim
Vetëm pas katër muajve nga kërkesa e Kryeministrit për të zhvilluar tendera me sa më shumë garues edhe bashkia e Tiranës duket se ka nisur të ndryshojë disi. Pas një sërë tenderash me mungesë konkurrimi, së fundi janë shfaqur dy raste ku pjesëmarrja e kompanive ka qenë e lartë. Ndryshe nga e shkuara, ku ofertat kanë qenë thuajse sa fondi i dhënë nga bashkia, këtë radhë edhe kursimi nga taksat ka qenë i lartë.
Në të gjithë rastet tenderat pa garë rezultojnë të kenë ofertë thuajse të barabartë me çmimin maksimal të kërkuar nga institucionet.
I njëjti fenomen shfaqet dhe në rastin e blerjes së 1500 koshava të mbeturinave prej bashkisë së Tiranës ku mori pjesë vetëm një kompani.
Ofiçina Fiadri ofroi rreth 25 mijë lekë më pak nga fondi prej 91.5 milionë lekësh që kërkoi institucioni i drejtuar nga Veliaj.
Por pas shumë rasteve ku evidentohet mungesa e garës dhe kjo Bashki ka nisur të ndryshojë qëndrim, ndoshta prej presionit të medies, ndoshta për shkak të kontrollit që i bëhen kritereve dhe denoncimeve të shumta prej vetë kompanive.
Sigurisht aty ku ka garë dhe kursimi nga taksat e shqiptarëve janë më të mëdha.
Për ndërtimin e kanalizimeve në Sauk, Bashkia caktoi 41.5 milion lekë, por kompania fituese kërkoi vetëm 29.3 milionë lekë, pra 12.2 milionë më pak, gara ishte e hapur ku u paraqitën 18 oferta dhe 16 rezultojnë më të larta se fituesi.
Edhe për blerjen e bojës për sinjalistikën rrugore Bashkia ofroi 13.9 milion por kompania që plotësoi kushtet dha vetëm 9.2 milion duke kursyer 4.2 milionë lekë, ku 3 kompani nga 8 në garë kishin paraqitur ofertë më të larta sesa fituesi.
Megjithatë në këtë rast të fundit mund të ishin kursyer edhe më shumë para, pasi dy kompani që kërkuan edhe më pak para janë skualifikuar për shkak të një kriteri, atë të monstrave specifike të bojërave./OraNews/
