Qëlluan me kallashnikov në ajër dhe i dëmtuan mjetin një personi, arrestohen dy të rinjtë
Dy të rinj me banim në Shijak janë arrestuar nga policia e Vorës pasi kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Në pranga përfunduan L. Ç., 23 vjeç dhe A. D., 24 vjeç. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis dhe sende të tjera të kundërligjshme.
"Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga qytetarët, se në vendin e quajtur “Kuç-Vorë”, mbi kodrat e fshatit Gjokaj, po qëllonin me armë zjarri në ajër, kanë shkuar në vendngjarje, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorëve të dyshuar të ngjarjes. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit të tyre që u gjet në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik, një sasi të vogël lënde narkotike kanabis dhe sende të tjera të kundërligjshme" njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve hetimore, këta shtetas kanë rezultuar edhe autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 3 tetor, ku shtetasi B. V. ka kallëzuar se është qëlluar me armë zjarri në ajër dhe për pasojë është dëmtuar automjeti i tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

