Ambasadori slloven për negociatat: Topi është në fushën e BE, Shqipëria i ka bërë detyrat. Të shohim…

Ambasadori slloven, Peter Japelj, thotë se është i paqartë nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mund të marrin dritën jeshile në dhjetor për negociatat me BE.

"Nuk e di. Duhet të shohim. Ne e ndjejmë erën e mundësisë për të nisur me negociatat në mbledhjen e parë ndërqeveritare. Ka disa skenarë se si mund të zhvillohen, dhe më e mira është të nisim negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ose të paktën të caktojmë një datë për implementimin e projekteve."

Duke folur nga Korça, ai tha se Shqipërisë nuk ka i mbetur shumë për të bërë në këtë drejtim, duke sjellë në vëmendjen paqartësinë e vendeve të unionit në raport me zgjerimin por edhe veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

"Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet të bënte. Ishin dy zonja të forta nga BE, që erdhën në Shqipëri kohët e fundit , Merkel dhe Vonderlighen, të cilat thanë se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qënë pjesë e BE. Tani topi është në fushën e BE për të vendosur. Çështjet kohët e fundit në BE janë të kompleksuara, të gjithë e dimë që ka një problem midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe Shqipëria s'ka të bëjë fare me këtë çështje".

Duke komentuar samitin e 6 tetorit në Blend, ku mikpritës ishte shteti i tij, Ambasadori tha se ishte një sukses edhe pse ishte pak kompleks këtë vit.

"Deklaratat ishin të koordinuara midis 27 anëtarëve ndaj vështirësia kuptohet. Në fund fare ajo që ka rëndësi është që dolën të gjithë me një deklaratë të përbashkët. Kishte një mesazh të fortë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi në mbështetje dhe shohim që e ardhmja e këtyre vendeve është bashkë me ne, dhe herët apo vonë do të jenë pjesë e BE. Por kishte dhe mesazhe të tjera të rëndësishme për bashkëpunimin në vijueshmëri në kohët afatshkurta dhe afatgjata. Kishte thirrje të përbashkëta për investime në ekonomi, do të jenë biliona lek për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor që do e bëjnë jetën e njerëzve këtu më të mirë".