“Anglishfolës ekstra, pa asnjë gabim dhe prapë belbëzojnë shqip në provim”. Profesor Çapaliku surprizon studentët e Shkodrës, i uron mirëseardhjen me një poezi
Universitetet ndryshojnë strategji. Pas Elbasanit, Gjirokastrës dhe Korçës e Durrësit edhe ai i Shkodrës hapi dyert për të gjithë studentët me dhe pa vaksinë.
Pritet që kjo të zgjasë një javë, kohë që do duhet për të bërë një analizë mbi numrin e studentëve të vaksinuar dhe sa jo.
Urdhri që studentët të hyjnë në auditore vetëm të vaksinuar ose me test PCR është I ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që në terren vihet re që shumë studentë e kanë refuzuar vaksinimin me detyrim.
Ndërkohë shkrimtari Alfred Çapaliku pedagog në universitetin “Luigj Gurakuqi” I uroi mirëseardhjen studentëve me një poezi.
“Ju që po uleni për herë të parë në një auditor nuk keni ardhur rastësisht këtu. E keni fituar atë vend në Universitetin tonë me notat e gjimnazit. Qysh sot ju do të keni dy shtëpi, apartamentin dhe bibliotekën. Qysh sot në kodin tuaj gjenetik do të hyjë shkenca. Qysh sot do quheni me emrin student” tha Çapaliku dhe u lexoi poezinë dedikuar posaçërisht atyre.
“Studentët” – Poezi nga Alfred Çapaliku
Djemtë alpin dhe vajzat mesdhetare,
me të njëjtin rington nëpër celulare.
Me duar që mbajnë fletoren e hollë,
ndajnë si Adami me Evën një mollë.
Vishen sipas modës. Me guston e rrugës
dhe s’kanë asnjë lekë në ditën e bursës
Anglishfolës ekstra, pa asnjë gabim
dhe prapë belbëzojnë shqip në provim.
Dashurojnë, por orët janë të pakta
për shkencën, dihet është shpikur nata.
Qeshin, por jo me recetën e Migjenit.
E kanë përsorur stilin e të qeshurit.
Heshtin si dikur Adami me Evën,
se gjysma e mollës ngjason veç me zemrën.