Politekniku toleron studentët e pa vaksinuar për 1 javë, ne hyrje të auditoreve vetëm kontrolle për maskë dhe temperaturë

Edhe pse është kusht për hyrjen në auditore, studentëve të Universiteit Politeknik nuk u është kërkuar sot certifikata e vaksinimit, apo testi negativ PCR.

Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi, njofton se studentëve në hyrje të godinës u është matur temperatura dhe janë kontrolluar për mbajtjen e maskës.

Nëpërmjet një deklarate Universiteti Politeknik njofton se  në ditët e para do të lejohen edhe studentët e pa vaksinuar për të bërë kështu një fushatë sensibilizuese për të gjithë ata që nuk e kanë kryer vaksinën.

Më pas, pas përfundimit të javës së parë do të shihet mbulesa vaksinale dhe mundësitë për zhvillimin e leksioneve dhe seminareve.

Ndërkohë fakultete tjera siç është ai i Ekonomikut, Filologjikut dhe fakultete të tjera në kryeqytete nuk kanë lejuar hyrjen në auditore të studentëve që nuk janë të pajisur me certifikatë vaksinimi, apo testin negativ PCR.  Studentët që nuk kanë pasur certifikatë vaksine janë larguar nga fakulteti për të protestuar para ministrisë.

Gazetarja njofton se studentët po përpiqen ta shtyjnë procesin e vaksinimit me shpresën se diçka do ndryshojë. Megjithatë një numër studentësh të pa vaksinuar janë paraqitur në auditore me testin negativ PCR.

Kjo e hënë, 18 tetor, shënoi nisjen e vitit të ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online, studentë dhe pedagogë u rikthyen në auditore, por me një kusht: Ata duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit, një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose testin PCR për të hyrë në auditore.