Të verbrit, para dhe tetraplegjikët kërkojnë detyrimet e prapambetura ose qeveria në Strasburg
Që prej vitit 2011 me mijëra persona të verbër dhe tetraplegjikë kërkojnë shtesat e prapambetura të pagesave të invaliditetit.
Presidenti i Shoqatës Bashkimi Shqiptar i Organizatave të Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj, thotë se dhe pse janë me qindra vendime që kjo kategori të trajtohet me pagesë të plotë këto vendime nuk po ekzekutohen.
"Ka ngecur në atë që ne e quajë mungesë të shtetit ligjor. Një vendim Gjykate duhet ët ekzekutohet, këto janë detyrimet e krijuara si rezultat i mospagimit në masën që u ka takuar këtyre njerëzve të dala nga buxheti i ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që ka qenë në atë kohë, flasim për vitin 2005-2010. Janë 3 lloj kategorish të cilave u takojnë të njëjtat të drejta dhe kanë të njëjtat masa pagese. Janë persona të verbër, tetraplegjikë dhe persona me aftësi të kufizuara të ndryshme mendore, fizike dhe komplekse," tha ai.
Për Tafajn kjo që po ndodh është e padrejtë dhe shtoi se çështjen do ta dërgojë deri në Strasburg.
"Ky është një problem shumë i madh pasi ne si përfaqësues të Organizatave Kombëtare të Aftësive të Kufizuara do detyrohemi që këtë çështje ta çojmë në Strasburg dhe do ta çojmë në Strasburg dhe qeveria do pendohet sepse gjoba që do vijë nga Strasburgu do jetë më shumë se sa ata vërtet kanë sot për të paguar," shtoi Tafaj.
Megjithatë, nëse shteti nuk reagon në kohë, kjo shtresë në nevojë do të vijojë të orvatet nga zyra në zyrë për të marrë atë që u takon me të drejtë.

/OraNews/
