Zinxhiri i ekzekutimeve/ Semaku u mor në pyetje për vrasjen e Bledar Muçës, po hetohet pista e hakmarjes
Ekzekutimi me dy plumba, i Elton Mermalit alias Alban Semaku, buzë lumit Shkumbin në Peqin, ka krijuar dyshime të forta për grupin e hetimit, se ngjarja ka lidhje me zinxhirin e ekzekutimeve, duke pasur atë të vrasjes së Bledar Muçës, në 23 gusht 2021.
Eleminimi i Muçës në qëndër të Lushnjës, prej dy muajsh vijon të jetë pa autor dhe asnjë person të dyshuar nga policia kriminale.
Ndërsa pas 55 ditësh nga kjo vrasje, në Lushnjë ekzekutohet Alban Semaku, një anëtar i vjetër i bandës së Lushnjës, që drejtohej dikur nga Aldo Bare. Rezulton se pista e hakmarjes, e pasuar nga zinxhiri i vrasjeve në Lushnjë është kryesorja që po hetohet, pasi viktima së bashku me Genci Kasharin, Edjan Xhafën dhe Dritan Vilën, në vitin 1998 kanë ekzekutuar, Artan Sulçe dhe Bledar Haxhiun, ky i fundit djali i xhaxhait të Laert Haxhiut të shpallur në kërkim nga SPAK, për dy vrasje.
Për gjatë këtyre 24 orëve pas ngjarjes, anëtarët e grupit të hetimit kanë krijuar bindjen e plotë se Alban Semaku, është marrë nga njerëz të njohur prej tij dhe duke e çuar tek persona, që u intereson zbardhja e vrasjes së Bledar Muçës.
Muça, para se të vritej ka qënë pjesë e një grupi kriminal shumë të fortë që vepron në Lushnjë, grup i cili është kundërshtar me atë të Aldo Bares.
Ndërsa dalja në muajin maj nga burgu i Semakut dhe lëvizja e tij në rrugët e Lushnjës ka ngjallur dyshime se ai mund të ketë dijeni për autorët e vrasjes së Bledar Muçës.
Semaku për këtë vrasje ishte shoqëruar në komisariat dhe ishte marrë gjatë në pyetje, por nuk ka pranuar të ketë gisht dhe dijeni për autorët e vrasjes. Ka dyshime të forta se Alban Semaku, është marrë nga njerëz të njohur të tij në Lushnjë dhe ka shumë gjasa që nga po ata të jetë vrarë.
Ekzekutimi besohet se ka ndodhur në rrethinat e Lushnjës, ndërsa për të humbur gjurmët dhe përshtjelluar hetimet, trupi i Alban Semakut, është transportuar me makinë në drejtim të Peqinit, duke u hedhur në disa mbeturina pas një muri që ndodhet buzë lumit Shkumbin.
Për vrasjen në fjalë, prokuroria e Elbasanit është duke bashkëpunuar ngushtë me komisariatin e Lushnjës, për të mësuar rreth lëvizjeve të Alban Semakut në këtë qytet.
Semaku qysh prej muajit Maj 2021 kishte mundur të dilte nga burgu i Peqinit, ku vuantë një dënim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Kanosjes me armë” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Semaku kishte ndërruar dhe emrin, pasi më parë quhej Elton Mermali, dhe vepronte brenda rradhëve të shumta të bandës së Lushnjës. Mermali rezulton i dënuar nga gjykata e Lushnjës, pasi së bashku me mikun e tij, Genci Kashari kanë ekzekutuar në Lushnjë Artan Sulçe dhe Bledar Haxhiu më 23 nëntor të vitit 1998. Ky i fundit është djali i xhaxhait të Laert Haxhiut, një personazhi mjaft të njohur të botës së krimit në Lushnjë dhe kundërshtar i betuar i klanit “Bare” në këtë qytet.
