Detaje të reja nga ekzekutimi/"Ushtari" i Aldo Bares u rrëmbye në Lushnje dhe u vra më plumb në kokë në Peqin

Anëtari i bandës së Lushnjes, Alban Semaku, dyshohet se u rrëmbye në qytetin e Lushnjes për tu ekzekutuar buzë lumit Shkumbin në Peqin, aty ku u gjet i vrarë të dielën.

Burimet thonë se 38-vjeçari që deri në vitin 2011 mbante identitetin, Elton Mermali, i njohur si ushtar i Aldo Bares, kishte humbur gjurmët rreth orës 19:00 të së shtunës.

Dyshimet janë se ai është marrë me një makinë nga të paktën tre persona ende të paidentifikuar, të cilët e kanë transportuar me forcë përmes rrugëve të fshatrave deri në Peqin.

Pikërish këtu në këtë zonë të izoluar dhe të pabanuar në lagjen "Çezmë", 38-vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri pistoletë.

Në trupin e viktimës janë gjetur katër predha të kalibrit 9 mm. 38-vjeçari Semaku një goditje e kishte në kokë dhe tre në shpinë.

Krimi besohet se ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa trupi i pajetë u zbulua disa orë më pas mëngjesin e së dielës pranë një muri mbuluar me mbeturina dhe nje qese të zezë.

Në zonë, nuk ka banesa apo biznese nuk as kamera sigurie, pamjet e të cilave mund të ndihmonin në zbardhjen e dinamikës dhe krijimin e një identikidi për autorët e dyshuar që aktualisht mbeten të lirë.

Ndaj grupi hetimor ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë së bizneseve në Lushnje dhe përgjatë rrugëve që lidhin Lushnjen me Peqinin.

Anëtari i bandës së Lushnjes Alban Semaku, i njohur në Lushnje edhe si “Elton Kinezi”, ka qenë i dënuar për vrasje në kuadër të organizatës së drejtuar nga Aldo Bare.

Ai kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgu i Peqinit ku kishte vuajtur 6 vite e 8 muaj burg dënim për veprat penale "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike", "prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake" dhe "kanosje".