Akuzohen për blerje votash në 25 prill, SPAK çon në gjykatë dosjen e zyrtarëve të bashkisë Bulqizë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë proceduar penalisht dy persona për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Prokuroria e Posaçme e ka ngritur këtë akuzë në ngarkim të të pandehurve Denis Xholin dhe Abjon Çekun, me banim në Dibër, të hetuar me masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Për këta shtetas janë mbledhur prova me anë të të cilave është provuar se i pandehuri D.Xh., në bashkëpunim me të pandehurin Abjon Çeku, kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25.04.2021.

Po kështu, nga hetimet është provuar se i pandehuri Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore. 

Denis Xholi është akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Ndërsa i pandehuri Abjon Çeku është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme sot ka përfundoi hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abjon Çeku.