"Ata nuk ishin vetëm"/ Prokuroria nis hetimet: Vdekja e turistëve rusë në Qerret të Kavajës do hetohet si "vrasje"

Vdekja e katër turistëve rusë në hotelin "Gloria Palace" në Qerret po hetohet si vrasje nga prokuroria e Kavajës. Burime nga ky institucion thanë se nuk ka ende prova direkte për këtë akuzë, por regjistrimi i dosjes është bërë për ti dhënë mundësi hetuesve të kryejnë veprimet e duhura për zbardhjen e ngjarjes. Mësohet se viktimat kanë qenë të shoqëruar edhe me 4 shtetas të tjerë nga Rusia, të cilët janë shëndosh e mirë dhe që kanë dhënë deklarime për grupin e hetimit.

Prokuroria e Kavajës ka vendosur ta hetojë si vrasje vdekjen e katër turistëve rusë në Qerret, mbrëmjen e 15 Tetorit 2021.

Të paktën kjo është vepra penale për të cilën është regjistruar procedimi penal në prokurorinë e Kavajës, pas dorëzimit aty të dosjes paraprake të hetuar nga ana e policisë së shtetit.

Burimet nga hetimi thanë se gjithsej kanë qenë tetë shtetas rusë që kanë ardhur së bashku në Shqipëri dhe që shumicën e lëvizjeve i kanë kryer së bashku, përfshirë edhe ushqimin e konsumuar.

Por në rrethana të paqarta katër prej tyre janë gjetur të vdekur, ndërkohë që të tjerët janë marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.

Burime nga Prokuroria thanë se deri tani nuk ka ndonjë provë direkte për vrasje, por regjistrimi i dosjes për këtë vepër i krijon grupit të hetimit më shumë mundësi për kryerjen e veprimeve që mund të sjellin zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, raporton Ora News.

Ndërkohë mjekësia ligjore po vazhdon ekspertizën për zbardhjen e shkakut të vdekjes së katër turistëve rusë të cilët u gjetën të vdekur në hotelin Gloria Palace në Qerret javën ne kaluar.

Trupat e pajetë janë ende në morgun e Tiranës, duke iu nënshtruar analizave dhe ekzaminimeve ndërkohë që përfaqësues të Ambasadës ruse janë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët ligjore dhe familjarët lidhur me procedurat e transportimit të trupave në atdheun e tyre.

Burimet nga grupi hetimor thonë se ekspertiza mjeko-ligjore për 4 turistët rusë është mbyllur sa i përket marrjes së mostrave dhe të dhënave të tjera, ndërkohë që priten përgjigjet e analizave biokimike, raporton Ora News.

Pjesë e hetimit është bërë edhe analiza në lidhje mostrat e marra në hotelin ku ndodhi ngjarja, përfshirë këtu edhe ujin e pishinës ku kanë qëndruar viktimat pak minuta para se të gjendeshin të vdekur.

Viktimat janë 
Natalia Burenkova, 58 vjeçe,
Sergei Burenkova, 60 vjeç,
Nikita Belousov, 37 vjeç
Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.