Kafe me “e kuqe e zezë” , zbulohet kazinoja e paligjshme në rrugën Milot-Thumanë
Prej 1 janarit 2019, kazinotë elektronike janë të ndaluara por veprimtaria e lojërave të fatit duket se vijon të lulëzojë. Një kazino e paligjshme u zbulua në një lokal përgjatë rrugës Milot-Thumanë.
Një lokal në rrugën Milot-Thumanë ishte shndërruar në kazino.
Këto pamje tregojnë momentin kur forcat Speciale RENEA mësynë ambientet ku ishte zhvillohej kjo veprimtari e lojërave të fatit.
Siç tregojnë pamjet pjesa e parë funksiononte si bar, ndërsa në një ambient të dytë ishin vendosur 32 makineta në funksion.
Brenda tyre policia sekuestroi 2.500.000 lekë të rinj.
Pronari i lokalit, një 29-vjeçar nga Mamurrasi dhe menaxheri 41-vjeçar nga Thumana përfunduan në pranga .
Ndaj tyre u ngritën 5 akuza.
-Organizimi i lotarive të palejuara
-Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara
-Pastrimi i produkteve të veprës kriminale
-Fshehja e të ardhurave
-Mospagimi i taksave dhe tatimeve
Në pranga përfundoi edhe një 29-vjeçar, i cili u kap në lokal me një pistoletë pa leje.
Në kuadër të operacionit “Fati i Lojërave” policia ushtroi kontrolle edhe në disa lokale të tjera në Kurbin, Milot dhe Lezhë.
Prej 31 dhjetorit 2018 kazinotë elektronike dhe pikat e basteve sportive janë të ndaluara, por vetë operacionet e policisë gjatë këtyre viteve kanë vërtetuar se veprimtaria ka lulëzuar në informalitet.
Vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2021, 104 persona u arrestuan ose proceduan për baste të paligjshme.
