Avioni i Vermoshit te "Siguria", Alibeaj: Pse s'ka informacion? Çuçi: Nuk jam zëdhënës i policisë

Rrëzimi i avionit sportiv në Vermosh ishte pjesë e debatit në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u pyet nga deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj se pse policia nuk ka asnjë informacion mbi shtetasit që po udhëtonin me avion apo se çfarë po transportohej me të.

Në përgjigje, Çuçi  tha se nuk është zëdhënës i Policisë së Shtetit dhe se struktura që ai drejton e ka dhënë komunikatën zyrtare në lidhje me këtë ngjarje.

Sipas tij do të ketë ndëshkimin që jep ligji si për pilotët e avionit ashtu edhe për bashkëpunëtorët e tyre.

“Për aksidentin, për pilotët ndëshkimin e ligjit deri në fund, edhe për bashkëpunëtorët e tyre. Nuk dua të bëhem zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit e ka dhënë një deklaratë për këtë punë. Të jeni të sigurt që nuk do të ketë asnjë tolerim".

Ministri gjithashtu raportoi edhe për numrin e shqiptarëve që kanë kërkuar azil jashtë vendit, por edhe numrin e të huajve që kanë mbërritur deri më tani në Shqipëri.

"Sa shqiptarë kanë kërkuar azil, e kemi shifrën nga Eurostatit. Nëse në 2013 kanë aplikuar 11400 shqiptarë për azil, në 2020-ën kanë aplikuar 6995 dhe në 2021 nga muaji janar deri në gusht janë kryer 2980 aplikime. Këtë e them me përgjegjësi se janë të dhëna nga Eurostati. Për të gjetur sa kanë ikur duhet një studim më i gjerë dhe unë mund të flas vetëm me statistika zyrtare.

Vijmë te pyetja tjetër sa të huaj do mbani? Po ju them se në 2019 janë pajisur me leje qëndrimi 8241 shtetas të huaj nga të cilët 4300 kanë qenë për qëllime punësimi. Në vitin 2020, 7771 shtetas të huaj janë pranuar, ku me qëllim punësimi 3127. Në 2015 janë pajisur me leje qëndrimi pune 3139 shtetas të huaj, në 2016 me leje pune janë pajisur 3323 shtetas të huaj, në 2017 janë pajisur me leje qëndrimi pune 3122 shtetas të tjerë.Në 2018 kishim në total 10507 shtetas të huaj prej të cilëve 4159 janë për arsye punësimi".