Burg përjetë vrasësit të kunatës, Apeli i Tiranës lë në fuqi vendimin ndaj Dashamir Xhepës
Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Dashamir Xhepës, i akuzuar për masakrimin e kunatës së tij 2019. Sipas hetimeve, Liri Xhepa është qëlluar me tre plumba dhe trupi i saj është hedhur pranë liqenit në Kombinat pasi kunati i kërkonte që të mos krijonte lidhje apo martesë tjetër edhe pse kishte jetuar për 15 vite pa të shoqin.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Dashamir Xhepa, i akuzuar për vrasjen e kunatës së tij Liri Xhepa dy vite më parë.
Burime zyrtare nga Gjykata e Apelit bënë të ditur se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të shpallur nga Gjykata e Tiranës në datën 21 janar 2021 për deklarimin e të pandehurit fajtor dhe dënimin e tij përjetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 shkurt 2019 në fshatin Sharrë, pranë liqenit në zonën e Kombinatit kur policia është njoftuar për gjetjen e trupit të pajetë të shtetases Liri Xhepa.
Pas hetimeve për këtë vrasje policia dhe prokuroria akuzuan si autor kunatin e viktimës shtetasin Dashamir Xhepa ndaj të cilit u ngritën akuza për kryerjen e veprave penale “ Vrasje për shkak të marëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Viktima e krimit, Liri Xhepa, u gjet e masakruar në afërsi të liqenit të Sharrës.
49-vjeçarja kishte shenja dhune në trup ndërkohë që ishte qëlluar edhe me armë zjarri tri herë.
Gruaja e cila jetonte e ve prej 15 vitesh në kohën kur ndodhi ngjarja jetonte me djemtë e saj ndërkohë që sipas prokurorisë, motiv i vrasjes ka qenë kërkesa e kunatit të saj Dashamir Xhepa që viktima të mos krijonte lidhje apo martesë tjetër pasi do të turpëronte familjen.
I akuzuari për krimin Dashamir Xhepa u arrestua më 26 shkurt 2019 dhe gjatë deklarimeve në polici pranoi autorësinë e ngjarjes duke thënë se nuk mbante mend ku e kishte hedhur armën e krimit.
Dashamir Xhepa pranoi se kishte pasur konflikte të vazhdueshme me kunatën edhe për shkak të pronave të familjes.

