Rrëzimi i avionit mbushet me mister, shenjat e gishtave e vetmja shpresë për hetuesit
Policia e Shkodrës vijon bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe Malin e Zi, sa i përket avionit që pësoi avari të hënën në Kelmend.
Burime bëjnë me dije, se janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje të paktën 10 persona, të cilët janë kryesisht banorë të zonës së Vermoshit.
Duke qenë se avioni, sipas policisë ishte i pacertifikuar dhe i punuar me bashkim pjesësh në formë artizanale, ndër personat e shoqëruar janë qytetarë që merren me punë artizanale në zonën e Vermoshit dhe përreth saj të cilët ka dyshime të kenë informacion për mjetin fluturues.
Pavarësisht kësaj, ende nuk ka asnjë provë konkrete që përfshin ndonjërin prej tyre të paktën deri tani.
Që prej marrjes së njoftimit, DVP Shkodër vijon kontrollet në zonën përreth vendit ku është rrëzuar avioni për mbledhjen e provave të mundshme, që mund të dërgojnë në identifikimin e 2 personave që ndodheshin në bord.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor thonë se ka dyshime të forta se avioni i modifikuar, pa flamur, numër dhe certifikim, të ketë qenë në fazë testuese, duke mos u përjashtuar mundësinë e përdorimit të tij për trafikim të narkotikëve.
Të vetmet prova që mund të ndihmojnë hetuesit janë shenjat e gishtave që piloti dhe pasagjeri të kenë lënë në mjet, pasi asnjë provë materiale nuk është gjetur në vendngjarje.
Sipas Policisë, për këtë fluturim nuk ka pasur dijeni as kulla ajrore, duke provuar në këtë mënyrë se avioni kishte bërë ngritje të paligjshme.
Mendohet se anëtarët e bordit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë kohës që fluturonin mes kufirit shqiptaro-malazez, me persona që i kanë ndihmuar të largohen në drejtim të paditur pas incidentit.

