Meta takon sekretaren e Përgjithshme të “Europa Nostra”: Mirënjohje për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar
Presidenti, Ilir Meta priti sot në një takim sekretaren e përgjithshme të "Europa Nostra”, Sneška Quaedvlieg – Mihailović.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta shpreh mirënjohje për angazhimin e "Europa Nostra" ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, në veçanti për angazhimin direkt, objektiv dhe konkret në vlerësimin e vlerave dhe mbrojtjen e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe europiane, të shembura brutalisht.
Kreu i shtetit bën me dije se ai ndan të njëjtin qendrim me sekretaren e Përgjithshme të "Europa Nostra" se Shqipëria, ashtu siç ka nevojë për mbështetjen dhe aspiron anëtarësimin sa më parë në BE, do duhet të tregojë përmes veprimeve konkrete dhe aktive respektimin e vlerave dhe parimeve themelore të një shoqërie demokratike, jo vetëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por në çdo fushë.
