Përplasen dy automjete në Rrëshen, dy të plagosurit u bllokuan në makinë
Dy persona mbetën të plagosur nga përplasja e dy automjeteve në Rrëshen. Të plagosurit janë nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.
Ora News mëson se të plagosurit mbetën të bllokuar në mjet pas aksidentit dhe është dashur ndërhyrja e Shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin për nxjerrjen e tyre.
"Në afërsi të një karburanti, në Mirditë, automjeti me drejtues shtetasin F.M., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin P.Gj., ku si pasojë e përplasjes kanë marrë dëmtime dhe janë transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë shtetasit P.P., dhe L.P., të cilët ishin pasagjerë në mjetin me drejtues shtetasin P.Gj" njoftoi policia.
Drejtuesit e mjeteve janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.



