Covid, debat për shifrat e vaksinimit te Shëndetësia, Vokshi: Të tjerët po vaksinojnë fëmijët, kemi mbetur te +18 vjeç

Shifrat për vaksinimin e popullsisë janë bërë shkak për debate në Komisionin e Shëndetësisë.

Duke bërë një analizë të situatës ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se procesi ka ecur mjaft mirë dhe se rreth 44 për qind e shqiptarëve kanë marrë të paktën një dozë.

"Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,758,046 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 806,886 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anti-COVID. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,074,560 vaksina anti-COVID".

Por për kryetaren e Komisionit, Albana Vokshi, shifrat janë kontradiktore dhe tregon se ka mungesë informacioni.

"Kur të gjithë po kërkojnë të ulet jo 12 vjeç, por 5 vjeç, si mund të mbetet target-i tek 18 vjeçi dhe të vini dhe të raportoni këtu 44%? Mbeteni me target-in e 1 viti apo 2 vitesh kur kanë dalë dhjetëra versione të tjera të Delta-s dhe ne mbetemi me targetin mbi 18 vjeç. Më duket nonsens dhe mungesë përgjegjshmërie të vini këtu e të thoni “jemi tek 44 përqindëshi”. Duke mos u përfshirë fëmijët mbi 12 vjeç apo mbi 5 vjeç. Po! Ne jemi pro vaksinimit. E përsëris dhe e kanë thënë të gjithë kolegët e mi. Pro vaksinimit, por jemi kundër mungesës së informacionit".

Qëndrimi i Vokshit është kundërshtuar nga shefja e shërbimit epideomologjik në ISHP, Silva Binol.

"Përqindjet janë kollaj për tu nxjerrë, bëhen dy llogari. Një llogari për popullatën target që është 2 milionë e 170 mijë dhe në popullatën target përfshihet popullata 18 vjeç e lart. Pra popullata target për çdo qeveri në fillim kur morën autorizmin e vaksinave është 18 vjeç e lart. Popullta target e Shqipërisë është 2 milionë e 170 mijë. Kalkulimet me dozë të parë e të dytë mbështeten në këtë popullatë. Në popullatën e përgjithme me të dhënat e OBSH mbulesa është 32.1%, Shqipëria nuk është e fundit por është në mes. Me futjen e fëmijëve apo futjen e dozës së tretë ndyrshon popullata target ndyrshojnë dhe shifrat. Ju u janë dhënë dozat e vaksinave që janë përdorur. Nuk ka manipulim të shifrave. Kalkulimet bëhen kollaj dhe saktë. Këto janë të dhënat tona deri tani”.

Për opozitën, loja e shifrave ka për objektiv lojën e vjetëruar për qëllime politike.

Në Shqipëri janë 8655 raste me koronavirus nga të cilët 185 janë në trajtim spitalor.