A është shkarkuar Ardi Veliu? Ministri Çuçi: Do ta merrni vesh shumë shpejt
Kryeministria mohoi lajmet për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu pak minuta pas debateve të opozitës me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi në Komisionin e Sigurisë.Deputeti opozitar, Luan Baçi, pyeti nëse Ardi Veliu ishte ende në detyrë, por kreu i Ministrisë së Brendshme as e pohoi as e mohoi lajmin duke thënë se do të mësohet e vërteta në kohën e duhur.
Pasi i mbijetoi përplasjeve të forta të forcave të rendit me protestuesit e opozitës dhe tubimeve disa ditore për vrasjen e Klodian Rashës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është rikthyer në vëmendjen e medias për shkak të debateve mes deputetëve dhe Ministrit të Brendshëm në Komisionin e Sigurisë.
Luan Baçi e pyeti Bledi Çuçin në lidhje me shkarkimin e mundshëm të kryepolicit pas qarkullimit të lajmit në disa media.
Kreu i Ministrisë së brendshme mbajti qëndrim asnjanës duke mos preferuar të mohojë apo të pohojë asgjë në lidhje me fatin e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë.
"Do e merrni vesh në kohën e duhur".
Burime nga Kryeministria kanë bërë të ditur se nuk ka një vendim për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Të martën mësohet se Ardi Veliu ka zhvilluar një takim me kryministrin Rama, ndërkohë që nuk dihet objekti i bisedës mes tyre.