Përplasja Leli-Leskaj në Vlorë, punonjësit e Ujësjellësit deklaratë kundër kryebashkiakut: Drejtori në punë
Përplasja mes kryetarit të bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe drejtorit të Ujësjellësit Shkëlqim Leskaj mori përmasa zyrtare të martën. Një ditë pas konfliktit fizik mes dy drejtuesve, administrata e Ujësjellësit ka dalë me një deklaratë ku pohon se Drejtori është në punë dhe se kryebashkiaku nuk ka kompetencë për ta larguar nga detyra.
Një ditë pas përplasjes fizike të kreut të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli me drejtorin e Ujësjellësit Shkëlqim Leskaj, konflikti mes institucioneve tashmë është zyrtarizuar.

Në një deklaratë për media punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve në Vlorë kanë dalë në mbrojtje të shefit të tyre.
UKV deklaron se Leskaj është duke ushtruar ende detyrën e Drejtorit të ndërmarrjes, ndërsa hedhin poshtë pretendimet se ai është shkarkuar.
Duke hedhur poshtë pretendimet për parregullsi në tendera, UKV i thur edhe lavde Drejtorit duke u shprehur se "Shkëlqim Leskaj ka drejtuar me përkushtim të plotë në drejtim të shërbimit ndaj qytetarëve, duke qenë maksimalisht i angazhuar dhe i pranishëm kudo në terren, edhe jashtë orarit zyrtar, përfshire edhe orët e vona të natës, për tu dhënë zgjidhje efektive dhe në kohë sa më të shkurtër të gjitha problematikave të shfaqura në rrjetin e Ujësjellësit dhe të Kanalizimeve".
Kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, pretendon se është kompetencë e tij për të shkarkuar drejtorin e Ujësjellësit ndërsa ky i fundit refuzon të largohet nga detyra, duke e arsyetuar se këtë kompetencë e ka vetëm Këshilli bashkiak.
Deklarata e plotë
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, kërkon të sqarojë opinionin publik në lidhje me situatat e pasqyruara nga disa media dhe portale për disa mos marrëveshje të lindura gjatë një mbedhje të organizuar në zyrën e kreut të Shoqërisë, mes administratorit të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zotit Shkëlqim Leskaj dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Zotit Dritan Leli.
Ju bëjmë me dije se nuk ka asnjë ndërprerje të veprimtarisë së Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, duke vijuar realizimin normalisht të të gjitha detyrave në shërbim të qytetarëve dhe klientëve tanë, si familjarë ashtu edhe privatë.
Drejtori Shkëlqim Leskaj është në krye të detyrës, duke ushtruar kompetencat e tij, në zbatim të Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 për “Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.
Kreu i Shoqërisë, mëngjesin e kësaj të marte, datë 21.09.2021, zhvilloi normalisht mbledhjen e mëngjesit, duke ndarë edhe detyrat përkatëse për të gjithë Sektorët e Ndërmarrjes.
Sqarojmë se:
1. Zoti Shkëlqim Leskaj vijon të qëndrojë në detyrë, brenda të gjitha tagrave që i atribuohen sipas legjislacionit në fuqi.
2. Zoti Leskaj, vijon të jetë i rregjistruar pranë QKR, si subjekt i legjitimuar në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë.
3. Nuk ka patur asnjë “grabitje” nga titullari sa i përket vulave dhe librave të protokollëve sikundër pretendohet, ato qëndrojnë sipas legjislacionit në selinë e Shoqërisë.
4. Gjatë kësaj periudhe nga ana e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë dhe administratorit të saj, nuk janë nënshkruar kontrata tenderuese për kontatorët matës së ujit (sahatët), klorinimin dhe uniformat e punonjësve.
Gjatë një viti në krye të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zoti Shkëlqim Leskaj ka drejtuar me përkushtim të plotë në drejtim të shërbimit ndaj qytetarëve, duke qenë maksimalisht i angazhuar dhe i pranishëm kudo në terren, edhe jashtë orarit zyrtar, përfshire edhe orët e vona të natës, për tu dhënë zgjidhje efektive dhe në kohë sa më të shkurtër të gjitha problematikave të shfaqura në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve.
Të gjitha akuzat e ngritura ditët e fundit në adresë të Zotit Leskaj, janë spekullime, me qëllim dashakeqës për të prishur imazhin e kreut të kësaj Shoqërie dhe për të përbaltur të gjithë aktivitetin dhe energjitë e harxhuara prej tij gjatë gjithë kësaj detyre që po e vazhdon me përkushtim të plotë.
Faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm!
