Pano Soko: Qeveria s'ka para të realizojë programin, nuk u dalin llogaritë
Programi i ri qeverisës për analistin Pano Soko është e pamundur të realizohet pasi qeverisë i mungojnë paratë.
I ftuar për të analizuar programin ekonomik dhe financiar të qeverisë, Soko tha se ai ngjason më shumë si një program elektoral pasi 2/3 e vëllimit të saj i zënë rezultatet e qeverisë deri më tani, dhe pjesa tjetër me atë cka do të bëhet.
"Unë kam bërë kalkulime e një nga këto është ulja e borxhit në 60 përqind të GDP në 2025, me rritje ekonomike në 4.5 përqind. Por me rritjen ekonomike në 4.5 përqind, duhet që GDP të shkojë në 2 trilionë dhe në 2025 të shkojë në 1.2 trilionë. Ekonomia duhet të rritet me 10 përqind që të ulë borxhin në 1.2 trilionë në 2025. Unë po marr vetëm borxhin, me rritjen 4.5 përqind ne nuk realizojmë asnjë premtim, le më të mendohet për paga. Kjo të bën të kuptosh që ai nuk është program,por është shoë i radhës", tha analisti ekonomik Pano Soko.
Ai theksoi se një program ambicioz sikurse pretendon kryeministri Rama kërkon para dhe në këto kushte as 1/4 e programit do të realizohet me rritjen ekonomike 4.5 përqind .
Soko komentoi dhe shpalljen "non grata" të ish kryeministrit Sali Berisha
"Kemi një mosveprim total të prokurorisë për akuzën që i është bërë Berishës nga SHBA për korrupsion të lartë. Duhet të ishte zbatuar ligji, ky është rasti më flagrant, a duhet kjo prokurori të ndërhyjë të nisë hetimet?", tha Soko.

