Rakacolli: Studimi i akademisë së Shkencave tregon se vjeshtë-dimër do të jetë më e lehtë

Në një intervistë për Ora News, zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u shpreh se studimi i Akademisë së Shkencave ka të bëjë më zero prevalencën, pra me gjetjen e anti-trupave.

Ajo tha se konkluzioni në këtë studim është padyshim se vaksinimi ka qenë efikas dhe se periudha vjeshtë-dimër do të jetë më e lehtë.

Rakacolli: Studimi i Akademisë së Shkencave ka të bëjë më zero prevalencën, pra me gjetjen e anti-trupave. Dhe kjo gjë nuk shkon përherë me imunizimin. Një gjë e tillë u shpjegua edhe nga profesori në prezantim. Kampionët kanë qenë të ndryshëm për të parë anti-trupat e personave. Konkluzioni në këtë studim është padyshim se vaksinimi ka qenë efikas.

Rritja e imunizimit pas vaksinimit ka qenë i ndjeshëm. Prandaj nga ky konkluzion i akademisë mund të themi se periudha vjeshtë-dimër, nëse vazhdon ky variant virusi, pa ndonjë mutacion tjetër, del që nuk do të kemi një situatë të rënduar. Mesazhi nga ky studim është se qytetarët duhet të rendin drejt qendrave të vaksinimit.

Rakacolli shtoi se ka pasur një pjesë të njerëzve që janë sëmurur sërish nga virusi, por kjo varet shumë nga imuniteti i individit.

Rakacolli: Duke u nisur nga numrat aktualë në botë, ka akoma shumë vdekje nga varianti i ri i covidit. Nga ana tjetër, ka pasur një pjesë të njerëzve që janë sëmurur sërish nga virusi. Kjo varet shumë nga imuniteti i individit. Sjellja në këtë rast është individuale dhe nuk mund të nxjerrin përfundime pa kryer studimet për rastet. Por ajo që mund të themi është se në rastin e vaksinimit, një i vaksinuar e kalon më lehtë virusin se sa dikush që nuk është vaksinuar.