Studenti thotë se do të bojkotojë mësimin për të mos bërë vaksinën

Shyqyri Myrtollari është një student dhe aktivist, i cili  thotë se do të heqë dorë nga studimet për të mos bërë vaksinën e Covid-19.

Në një intervistë për "Ditë e Re" ai thotë se vaksinimi i detyruar është i paligjshëm, për deri sa nuk është vendosur me VKM.

Ai shton se studentët janë nën presionin e deklaratave që kryeministri bën në media.

Një arsye tjetër e bojkotimit të mësimit, sipas studentit  është se vaksina ndodhet ende në fazë eksperimentale dhe se nuk ka garanci nëse kjo e fundit  është e sigurt për shëndetin apo jo.

"Për mendimin tim është e paligjshme, është presion, deri në momentin që nuk është bërë ligjore dhe nuk është shkruar  në fletoren zyrtare. Studentët janë detyruar  nga fjalët e kryeministrit në media, sepse asgjë nuk është bërë ligjore. Jemi në fazën e një presioni. Nuk jam i vetmi që do pezulloj studimet dhe do bojktoj mësimin akademik, ndonëse jam i pari që e bëj publike."

Arsyet pse studenti refuzon vaksinimin:

"Jemi në fazë eksperimentale, nuk e dimë ende nëse do bëjmë 1 dozë, 2 apo 3. Në një vit e gjysmë kemi marrë informacion mjaftueshëm se fëmijët dhe të rinjtë janë më pak të rrezikuar. Ne nuk kemi siguri nëse vaksina na mbron. Nuk e marrim parasysh imunitetin natyror. Këto janë vendime të nxituara. Do isha i gatshëm të bëja tampon çdo ditë për të shkuar në shkollë", shprehet studenti.